Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se Komuna e Prishtinës sot ka bërë kërkesë në Thesar që t’u bëhet alokim i parakohshëm i 1/12-tës së buxhetit të paraparë për muajin dhjetor, me qëllim që të paguajnë disa prej faturave që janë grumbulluar, përfshi edhe ato të energjisë elektrike.
Murati ka bërë me dije se Thesari do të bëjë këtë alokim të parakohshëm në mënyrë që një pjesë e faturave të paguhen tash, shkruan KFVA.
Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se kjo nuk e zgjidh problemin, meqë pastaj dhjetori mbetet pa buxhet.
Ai ka fajësuar për këtë situatë LDK’në.
“Zgjidhja e problemit do të ishte nëse pardje LDK-ja do ta votonin së paku buxhetin e Prishtinës, dhe pastaj fare s’do të kishte nevojë për këso improvizime. Mirëpo në vend të zgjidhjes, Lumir Abdixhiku me LDK-në vendosën të mos vinin fare në seancë pardje. Për më keq, dje u munduan që të keqpërdorin edhe prindërit e fëmijëve në çerdhe duke u munduar që t’ia hedhin fajin Ministrisë së Financave, për buxhetin të cilin vetë LDK-ja nuk e votoi”, ka shkruar Murati./KFVA/
