Ditëve të fundit në mediat ndërkombëtare ka qarkulluar një draft 28-pikësh nga Shtëpia e Bardhë për vendosjen e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë. Sipas raportimeve, ky draft amerikan i është dërguar presidentit Volodymyr Zelensky, ndërsa ende nuk dihet nëse do të pranohet, përcjell Gazeta KFVA.
Disa media me radhë e publikuan draftin, i cili përmban 28 pika dhe përfshin fusha të shumta të sigurisë, ekonomisë, tregtisë dhe territoreve. Nëse drafti përkthehet në marrëveshje mes palëve, atëherë do të ketë ndryshime territoriale.
Sipas asaj që ka publikuar prestigjiozja Financial Times, Ukrainës nuk do t’i lejohet anëtarësimi në NATO, trupat e Aleancës Veriatlantike s’do të mund të stacionohen në Ukrainë, si dhe do të ketë shkëputje territoriale.
Pikat 7 dhe 8 të draftit përcaktojnë qartësisht se NATO pajtohet të mos dërgojë trupa në Ukrainë dhe se kjo e fundit nuk do të anëtarësohet në NATO. Gjithashtu, drafti kërkon nga Ukraina të mos e godasë Moskën ose Shën Petersburgun pa shkak.
Drafti po ashtu parasheh largimin e sanksioneve për Rusinë në rast të arritjes së marrëveshjes, mirëpo të gjitha sanksionet dhe përjashtimi nga ekonomia perëndimore mund të rikthehen nëse ka shkelje.
Pika më interesante për të gjithë është sigurisht ajo e territoreve. Sipas draftit, rajonet e Donetsk, Luhansk dhe Krimesë do t’i njihen Rusisë edhe nga SHBA-ja. Vijat e frontit në Kherson dhe Zaporizhzhia do të jenë kufijtë e rinj, ndërsa Rusia do të heqë dorë nga territoret që i mban në rajonet e tjera.

Ky draft detyron Rusinë të krijojë një zonë të çmilitarizuar në pjesën e Donetsk-ut të cilën aktualisht e mbajnë ukrainasit, me ushtrinë ruse që pranon të mos hyjë aty.
Siç u përmend në fillim, ende nuk dihet nëse ky draft i plotë do të jetë përfundimtari, meqë pikat mund të ndryshojnë gjatë bisedimeve. Sidoqoftë, nëse del të jetë final, atëherë në Europë do të ketë ndryshime territoriale të nivelit të Luftës së Dytë Botërore.
