Kosova mund të shpenzojë mbi 26 milionë euro për organizimin e proceseve zgjedhore gjatë vitit 2025.
Plot 18 milionë euro ka qenë kostoja e organizimit të dy proceseve të rregullta zgjedhore këtë vit, parlamentare dhe lokale. Për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 9 shkurt u shpenzuan 7.9 milionë euro, ndërsa buxheti për dy rundet e zgjedhjeve lokale ishte 10.5 milionë euro.
Nëse për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 28 dhjetor merret si shembull kostoja e atyre të shkurtit, rezulton që në total, për një vit, nga buxheti i shtetit mund të shpenzohen mbi 26 milionë euro për procese zgjedhore.
Pasi përsëriti se nuk ka buxhet të planifikuar për organizimin e një procesi të tretë brenda vitit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i tha TV Dukagjinit se së shpejti do të përcjellë te pushteti ekzekutiv në detyrë kërkesën për ndarjen e mjeteve të nevojshme.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për një proces të ri zgjedhor, i cili nuk është i planifikuar. Në mbledhjen e radhës, KQZ do të miratojë planifikimin buxhetor për organizimin e zgjedhjeve të reja dhe kërkesën për buxhet do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës. KQZ ka vepruar kështu edhe në rastet tjera kur kemi pasur zgjedhje të parakohshme apo që kanë ndodhur pa planifikim, në një vit jo-zgjedhor”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Për të siguruar paratë për organizimin e procesit të parakohshëm zgjedhor, Qeveria në detyrë pritet të veprojë siç bëri me pensionet e rritura.
“Duhet të shihen mundësitë se si mundemi që brenda transferove, pra brenda kursimeve që kanë mbetur apo mund të ketë teprica nëpër organizata buxhetore që të sigurohet buxheti i nevojshëm, sepse normalisht që nëse caktohet data e zgjedhjeve duhet të ketë edhe financimin e nevojshëm për t’u realizuar ato”, tha ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u shpallën pas dështimit të mandatarit të dytë, Glauk Konjufca, për të marrë votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re, të pasuar nga dekreti për shpërndarjen e legjislaturës së nëntë.
