• Thu. Nov 20th, 2025

2026 e gjen Kosovën pa deputetë, pa institucione, në numërim: A ndodhi kjo prej ‘intrigave’ të Osmanit e Kurtit?

Nov 20, 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve pasi paraprakisht për dy herë radhazi, deputetët dështuan të zgjidhnin një ekzekutiv të ri.

Të dy herat, dështim i Lëvizjes Vetëvendosje.

Së fundi, Glauk Konjufca u mandatua nga Presidentja Vjosa Osmani. Mandatimi i tij, prej Osmanit, pa pasur dëshmi se i ka numrat e nevojshëm, megjithatë dihej se s’ka ndonjë kompromis, bëri që të vonohet edhe më shumë shpallja e zgjedhjeve, raporton KFVA.

Kosova ishte në rrugë krize që prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Vetëvendosje fitoi shumicën e votave, por jo mjaftueshëm për të formuar Qeverinë vetëm.

Kuvendi vonoi të konstituohej për rreth gjashtë muaj për shkak të mosmarrëveshjeve politike, ndërsa procesi u sfidua disa herë në Gjykatën Kushtetuese. Tani edhe ekzekutivin.

Si pasojë e kësaj, viti 2026 do ta gjejë Kosovën pa deputetë, pa institucione, dhe në numërim.

Me 28 dhjetorin ishte vetëm VV’ja që pajtohej.

E për këtë, Vjosa Osmani po akuzohet se qëndron në një linjë me Albin Kurtin. Kjo, pasi respektoi kërkesën e kësaj partie që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor.

E, Osmani e arsyetoi vendimin duke thënë se 21 dhjetori është afër, e se është më demokratike të ketë pjesëmarrje edhe nga diaspora.

Por a ishte ky plan i tyre?

Albin Kurti para nje muaji tha se çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit në pranverë mund ta çojë vendin përsëri në zgjedhje.

“Mbase është për të ardhur keq që do të mundë të kemi, përveç balotazhit [të zgjedhjeve lokale në nëntor], dhe dy herë zgjedhje. Edhe zgjedhje në dimër, edhe zgjedhje në pranverë”, tha Kurti në Prishtinë.

“Sepse, kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re, atëherë është vështirë e imagjinueshme që do t’i bëjmë kollaj 80 deputetë në pranverën e vitit të ardhshëm dhe i kemi edhe katër muaj deri në zgjedhjen e presidentit”, theksoi ai.

Presidentes Vjosa Osmani i mbaron mandati në prill të vitit 2026.

Kjo e fundit nuk e ka mohuar rikandidimin.

Ajo në konferencën për media para një jave, tha se do ta përfundojë mandatin e saj të plotë, deri në ditën e  fundit.

Osmani shtoi se fillimisht duhet të bëhen Kuvendi e Qeveria e pastaj i vjen radha edhe çështjes së Presidentes.

“Do të jem këtu deri në ditën e fundit, e kam marrë mandatin për 5 vjet dhe do ta përfundoj atë të plotë. Sa i përket rikandidimit, le ta kemi njëherë një Kuvend e Qeveri, e pastaj i vjen radha edhe çështjes së Presidentes”, deklaroi Osmani.

Ndryshe, Presidenti zgjidhet me dy të tretat e votave të 120 deputetëve sa i ka gjithsej Kuvendi. Në rast se kandidati nuk i merr këto vota në dy rundet e para, në rundin e tretë zgjidhet me votat e gjysmës së deputetëve.

Por kjo mbetet të shihet.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës e quajti vendim të njëanshëm 28 dhjetorin, pasi që të njëjtit kërkuan 21 dhjetorin të mbahet procesi.

“Data e zgjedhjeve u përcaktua 28 Dhjetor. Le ta shndërrojmë këtë ditë në momentin e rikthimit të përgjegjësisë, maturisë dhe vizionit politik që i duhet Republikës sonë. Edhe pse vendim i njëanshëm i Presidentes, kjo datë mbetet një mundësi historike për ta rikthyer institucionin te qytetari dhe te vullneti i shumicës. Vendimmarrja nuk mund të jetë e plotë pa zërin e popullit, prandaj 28 Dhjetori është dita jonë. Diasporën tonë e mirëpresim me zemër të hapur. Vota juaj nuk është vetëm numër është forcë, është përgjegjësi dhe është pjesë e pandashme e rrugës sonë politike. Bashkë për Kosovën!”, ka shkruar Blerta Deliu-Kodra.

E Albin Kurti i VV’se, ka deklaruar se e mirëpresin caktimin e 28 dhjetorit si datë të zgjedhjeve.

Kurti tutje ka thënë se duhet siguruar që institucionet shtetërorë kanë kohën e mjaftueshmë për përgatitjet e një procesi zgjedhor të rregullt e të drejtë.

“Dita e zgjedhjeve është festë e demokracisë. Ajo bëhet edhe më madhështore kur ka pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve tanë me të drejtë vote. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik. Andaj, ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presin”, shkroi Kurti në faqen e tij në Facebook.