Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara do të publikojë brenda 30 ditëve materialet nga hetimi për pedofilin e ndjerë Jeffrey Epstein, njoftoi të mërkurën Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi. Ky vendim vjen pas votës pothuajse unanime të Kongresit që detyroi administratën e Presidentit Donald Trump të bëjë dokumentet publike.
Materialet mund të hedhin më shumë dritë mbi aktivitetet e Epstein, i cili shoqërohej me Trump dhe figura të njohura të shoqërisë para se të dënohej në vitin 2008 për shpërndarje prostitucioni të një të mituri. Skandali ka qenë një shqetësim për Trump për muaj të tërë, pjesërisht sepse ai ka amplifikuar teoritë e komplotit për Epstein tek mbështetësit e tij. Administrata e tij akuzohet gjithashtu për fshehjen e lidhjeve të Epstein me figura të fuqishme dhe për mbulimin e detajeve rreth vdekjes së tij, e cila u konsiderua vetëvrasje në një burg të Manhattanit në 2019, ndërsa përballej me akuza federale për trafik seksual.
Gjatë një konference për media, Bondi konfirmoi se Departamenti i Drejtësisë do të publikojë materialet e lidhura me Epstein brenda 30 ditëve, sipas ligjit që kaloi të martën nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, të kontrolluar nga republikanët.
“Do të vazhdojmë të ndjekim ligjin dhe të inkurajojmë transparencën maksimale”, tha ajo.
Megjithatë, publikimi mund të mos jetë i plotë, pasi disa materiale mund të mbahen mbrapa për të mos ndikuar hetimet e urdhëruara nga Trump për figura demokratike që kanë pasur lidhje me Epstein. Departamenti gjithashtu do të mbrojë identitetet e viktimave të trafikimit seksual që përmenden në dokumente.
