Një anije spiune ruse ka përdorur laserë për herë të parë për të penguar pilotët e forcave ajrore britanike që gjurmojnë aktivitetin e saj pranë ujërave të Mbretërisë së Bashkuar, tha sekretari i mbrojtjes.
John Healey u tha gazetarëve se lëvizja “thellësisht e rrezikshme” nga Yantar po merret “jashtëzakonisht seriozisht” nga qeveria, shkruajnë mediat britanike, përcjell KFVA.
Ai shtoi se anija ishte në veri të Skocisë dhe kishte hyrë në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar për herë të dytë këtë vit gjatë disa javëve të fundit.
Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të monitorojë anijen dhe kishte “opsione ushtarake të gatshme nëse Yantar ndryshon kurs”, shtoi ai.
“Mesazhi im për Rusinë dhe Putinin është ky: ne ju shohim. Ne e dimë se çfarë po bëni. Dhe nëse Yantar udhëton drejt jugut këtë javë, ne jemi gati”, shtoi ai.
Healey tha se incidenti me laserë ndodhi ndërsa Yantar po ndiqej nga një fregatë e Marinës Mbretërore dhe aeroplanë RAF Poseidon P-8 të vendosur për të “gjurmuar çdo lëvizje të anijes”.
Merret vesh se episodi ndodhi brenda dy javëve të fundit.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Downing Street, sekretari i mbrojtjes shtoi se kishte ndryshuar rregullat e angazhimit të Marinës Mbretërore në mënyrë që ajo të mund ta ndiqte më nga afër Yantar-in “kur është në ujërat tona më të gjera”.
Healey tha se anija, e cila hyri në shërbim në vitin 2015, ishte pjesë e Drejtorisë Kryesore të Rusisë për Kërkime në Det të Thellë (GUGI).
I pyetur për rreziqet që paraqesin lazerët, Healey u përgjigj: “Çdo gjë që pengon, prish ose vë në rrezik pilotët përgjegjës për aeroplanët ushtarakë britanikë është thellësisht e rrezikshme”.
