Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka publikuar një shkrim të gjatë të mërkurën, një ditë pas ndeshjes që Kosova e luajti kundër Zvicrës në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja Kosovë – Zvicër përfundoi baras, 1:1. Përballja ndërmjet “Dardanëve” dhe helvetikëve ishte e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Zvicra siguroi direkt kualifikimin në Botërorin në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Kosova kualifikimin do ta kërkoj nëpërmjet plejofit. Ndeshjet e plejofit luhen në mars të vitit të ardhshëm. Shorti tërhiqet të enjten.
Kryetari Ademi ndër të tjera i ka quajtur të panevojshme dhe paarsyeshme fishkëllimat në drejtim të kapitenit të Zvicrës, Granit Xhaka.
“Gjithmonë kemi theksuar se individët si Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri janë aset kombëtar dhe ambasadorët më të mirë të popullit tonë, ashtu si Dua Lipa, Rita Ora, Ramë Lahaj e shumë të tjerë”, ka shkruar Ademi.
Ai ka vazhduar tutje shkrimin duke theksuar se Graniti “do të jetë gjithmonë i mirëpritur në atdheun e tij”. “Ai kudo që të jetë është djali i Ragip Xhakës, një familje atdhetare që jeton e vepron në Prishtinë, prandaj ne i jemi gëzuar gjithmonë sukseseve dhe karrierës së tij të bujshme”, është shprehur Ademi.
Menjëherë pas ndeshjes Xhaka tha se fishkëllimat e shikuesve në e kishin befasuar dhe se ishte ndier keq.
Por kryetari Ademi ka insistuar se fishkëllimat nuk kanë ardhur nga tifo-grupi i Përfaqësuese së Kosovës “Dardanët”.
“Ne i gjykojmë fishkëllimat që ndodhën, edhe pse ato nuk erdhën nga e gjithë masa dhe as nga tifo-grupi ‘Dardanët’, por gjërat negative ndonjëherë janë të pashmangshme në stadiume. Ato kanë qenë të panevojshme dhe të paarsyeshme dhe i gjykojmë, sikurse i gjykojmë edhe deklaratat e atyre që vjellin vrer edhe kur Kosova shënon rezultate kulmore”, ka shkruar Ademi.
Shkrimin e tij të gjatë, Ademi e ka mbyllur me falënderimet për përkrahjen që shikuesit ia kanë dhënë dhe vazhdojnë t’ia japin lojtarëve të Kosovës.
