Analisti Albert Krasniqi ka komentuar zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës, ku VV-ja ka tentuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në kundërshtim me rregullat në fuqi.
Ai ka bërë me dije se qeveria aktuale në kundërshtim me ligjin po tenton të miratojë buxhetin e vitit të ardhshëm.
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se këta njerëz në fushatë e propozojnë pagën e 13-të, ndërkohë që nuk mund t’i sigurojnë as pagën e parë të vitit të ardhshëm.
“Me gjasë, për kryetarë të komisioneve të përhershme, VV paska menduar Hekuran Muratin për Komisionin për Buxhet dhe Albin Kurtin për Komisionin për Integrim Evropian (ndoshta si “shpërblim” për arritjen historike të vendosjes së Kosovës nën sanksione të BE-së). Kjo është logjika e pushtetit absolut: në Qeveri e propozojnë buxhetin, në komisione e shqyrtojnë, në Kuvend e votojnë. Të njëjtët njerëz në çdo hallkë. Pa kontroll, pa balancë, pa përgjegjësi. Pastaj, për fushatë zgjedhore, propozojnë pagën e 13-të, ndërkohë që nuk mund t’i sigurojnë as pagën e parë të vitit të ardhshëm. Dhe në fund, pa asnjë hezitim, i dalin përpara qytetarit që e lanë pa pagë dhe i kërkojnë votën sikur s’ka ndodhur asgjë”, ka shkruar ai.
