• Wed. Nov 19th, 2025

Seanca e jashtëzakonshme, Kusari-Lila: Partitë tjera t’i thërrasin ndërgjegjes, Kosova pritet të humb fonde milionëshe

Nov 19, 2025

Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari ka kritikuar partitë e tjera që nuk po marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme.

Kusari tha se është përgjegjësi e deputetëve të marrin pjesë në seancë dhe të bëhet formimi i komisioneve parlamentare, e pastaj të vazhdohet edhe me pikat e tjera të rendit të ditës.

“Radha dhe rendi do të duhej të ishte që Kryesia e Kuvendit të miratonte agjendën e kësaj seanca. Rrethanat në të cilat gjendet vendi janë rrethana që kanë paparashikueshmëri në raport me një pjesë të fondeve të dedikuara për Kosovën. Ajo çka është e rëndësishme sot është të marrim përgjegjësinë dhe ta ushtrojmë atë për detyrën e deputetit që kemi. Më e lehta është të mos vijohet fare siç kanë bërë grupet tjera parlamentare, PDK, LDK, AAK dhe Nisma. Ajo nuk ju heq përgjegjësinë që e kanë në formimin e komisioneve parlamentar. Formimi i komisioneve parlamentare bëhet më mes të grupeve parlamentare.

Çka duhet për të vazhduar me pikat e kësaj seance janë formimi i katër komisioneve të përhershme parlamentare. Kush jemi ne në këtë periudhë të vitit t’iu mohojmë të drejtën qytetarëve të Kosovës për fonde të drejtpërdrejta buxhetore, të cilat humben në muaj dhjetor. Plani i rritjes nga BE-ja ka afat skandence, nëse nuk miratohet në dhjetor 2025, 10 përqind nga 880 milionë, humben. Janë pa kthim. Nuk mund të kthehen edhe nëse zgjedhjet mbahen më 28 dhjetor, apo kurdo që mbahen këto mjete humben. Kush jemi ne t’iu mohojmë të drejtën e 20 milionëve të tjera mbështetje nga projektet tjera nga Banka Botërore. Ne po ballafaqohemi me kërkesa çdo ditë nga punëtorët e RTK, të cilët përkundrejt se ne kemi marrë pagat e tetorit, ata nuk i kanë marrë.

Tri komuna janë pa buxhet të miratuar për vitin 2025.

I ftoj t’i thërrasin ndërgjegjes dhe përgjegjësisë që kanë. Nuk janë fonde që kthehen, por humben. Nuk është betejë politike kjo”, tha Kusari.