Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se nëse Kuvendi sot nuk ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare, Kosova humb 200 milionë euro.
Murati ka thënë se bëhet fjalë për 88 milionë nga plani i rritjes i BE-së, dhe mbi 120 milionë euro nga tri marrëveshjet me Bankën Botërore.
“Nëse Kuvendi sot nuk arrin të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare, atëherë mbi 200 milionë euro humbin pakthyeshëm: 88 milionë nga plani i rritjes i BE-së, dhe mbi 120 milionë euro nga tri marrëveshjet me Bankën Botërore. Për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten 80 vota”, ka shkruar Murati.
Sot është paraparë të mbahen dy seanca në Kuvendin e Kosovës. Njëra në ora 11:00, ndërsa seanca tjetër nga ora 14:00 do të jetë për votimin e qeverisë së propozuar nga mandatari Glauk Konjufca.
PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe NISMA kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë.
