• Tue. Nov 18th, 2025

Një mikpritje e rrallë – Trump për princin saudit nxori kalorësit, gardën dhe aeroplanët luftarakë

Nov 18, 2025

Princii i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, arriti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për herë të parë pas shtatë vjetësh, ku në Uashington e pritën me nderime ceremoniale të paparë më parë nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Para Shtëpisë së Bardhë valëviteshin dhjetëra flamuj të Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite, ndërsa Garda e Nderit ishte rreshtuar në përbërje të plotë për të pritur mbërritjen e princit saudit.

Vëmendje të veçantë tërhoqi njësia e kalorësve që mbante flamujt e të dy vendeve, duke udhëhequr protokollin solemn. Qielli mbi kryeqytet u mbulua edhe nga avionët luftarakë amerikanë, duke i dhënë pritjes një dozë shtesë simbolike dhe dramatike.

Për Salmanin, kjo është vizita më e rëndësishme në SHBA në pothuajse një dekadë, dhe në qendër të agjendës është takimi me presidentin amerikan dhe zyrtarët më të lartë të administratës. Pritet që të dy liderët të diskutojnë për zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit dhe të nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh të rëndësishme në fushat e teknologjisë, mbrojtjes dhe tregtisë.

Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar më parë se presidenti Trump pret me shumë pritshmëri princin e Kurorës Saudite.

Sipas mediave amerikane, negociatorët amerikanë dhe sauditë po punojnë gjithashtu për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëpunim civil bërthamor.

Gjithashtu, pritet të konfirmohet vendimi i paralajmëruar i Trump për shitjen e avionëve luftarakë F-35 Arabisë Saudite, vendim që ka shkaktuar nervozizëm brenda admiinistratës së sigurisë izraelite për shkak të frikës së humbjes së mbizotërimit të tyre ajror në Lindjen e Mesme.

Kjo vizitë shënon një nga momentet kyçe në marrëdhëniet amerikano-sauditë nën udhëheqjen e Trump, dhe në Uashington tashmë flitet se pikërisht ky takim mund të përcaktojë drejtimin e mëtejshëm të aleancës së dy vendeve në fushat e sigurisë, energjisë dhe politikës rajonale. /KFVA/