• Tue. Nov 18th, 2025

LDK thotë se nuk merr pjesë në seancën për buxhetin e marrëveshjet ndërkombëtare, vetëm në atë për Qeverinë

Nov 18, 2025

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të marrë pjesë në seancën e thirrur për nesër në 11:00, për votimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, kjo parti ka njoftuar se do të jetë e pranishme vetëm në seancën e orës 14:00, për votimin e Qeverisë së re, shkruan KFVA,

“Agjenda e seancës së orës 11:00 përfshin marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore që kërkojnë proces serioz e konsultim. LDK nuk merr pjesë në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate. LDK do të marrë pjesë vetëm në seancën e orës 14:00, sapo të pranojmë ftesën dhe rendin e ditës për çështjen e mandatarit, në përputhje me bindjet, vlerat dhe besimin e votuesve tanë”, thuhet në komunikatë.

LDK ka thënë se nuk bëhet pjesë “e skenarëve populistë dhe të krizave të fabrikuara për interesa zgjedhore”.

Sipas kësaj partie, po të kishte vullnet për krijimin e shumicës parlamentare, konsultimet do të ishin bërë me kohë dhe me të gjitha partitë.

“Prej tetë muajsh, vendi mbahet në pasiguri politike nga të njëjtët që sot paraqesin si urgjencë atë që vetë e kanë zvarritur. E njëjta logjikë u pa edhe me zvarritjen 15 ditore të mandatarit pa numra, një proces i humbur që nga fillimi dhe i përdorur vetëm për propagandë. Po të kishin vullnet për krijimin e shumicës parlamentare, konsultimet do të ishin bërë me kohë dhe me të gjitha partitë. Qëllimi nuk ka qenë shumica, por materiali elektoral, mbajtja peng e vendit dhe prodhimi i skenave të radhës”, theksohet në komunikatë.