• Tue. Nov 18th, 2025

Hipovolemia – komplikacion i rrezikshëm për jetën, çfarë ndodh kur trupi humb shumë lëngje dhe gjak

Nov 18, 2025

Simptomat përfshijnë dobësi, marramendje dhe lodhje; shkaqet mund të jenë gjakderdhja, të vjellat ose lëndimet. Personat që përjetojnë shok hipovolemik humbin më shumë se 20 për qind të lëngjeve të trupit

Hipovolemia është një komplikacion i rrezikshëm për jetën, që ndodh kur trupi humb shumë lëngje, si gjakun apo ujin, duke prishur funksionimin normal të organeve.

Rreth 50 deri në 60 për qind të trupit të njeriut përbëhet nga lëngjet. Tek hipovolemia humbet më shumë se 15 për qind e lëngjeve qarkulluese, prandaj fillimi i menjëhershëm i trajtimit është thelbësor për të parandaluar komplikacionet kërcënuese për jetën, si dëmtimi i organeve, shoku ose vdekja.

Hipovolemia mund të zhvillohet papritur, si pasojë e lëndimeve, gjakderdhjes, të vjellave, diarresë ose djersitjes së tepërt. Zbulimi i hershëm i simptomave dhe ndërhyrja e shpejtë mjekësore përmirësojnë ndjeshëm rezultatin.

Çfarë është shoku hipovolemik

Shoku hipovolemik është forma më e rëndë e hipovolemisë dhe kërkon trajtim urgjent. Kjo gjendje shfaqet kur trupi humb një sasi të madhe lëngjesh ose gjaku, duke e bërë të pamundur që zemra të pompojë mjaftueshëm gjak nëpër organizëm. Shoku hipovolemik mund të çojë në dështim të organeve.

Personat që përjetojnë shok hipovolemik humbin më shumë se 20 për qind të lëngjeve të trupit, dhe kjo mund të ndodhë si pasojë e lëndimeve të rënda (prerje ose djegie), gjakderdhjes së brendshme, të vjellave ose diarresë, shkruan Cleveland Clinic, përcjell KFVA.

Si ndikon hipovolemia në trup

Trupit i nevojitet një sasi e caktuar lëngjesh (gjak) që organet të funksionojnë normalisht. Ashtu si bimët në kopsht që kanë nevojë për ujë për të “mbijetuar”, ndërsa trupit i duhen lëngje që të mos “vyshket”.

Nëse bie thatësira dhe bimët nuk kanë mjaft ujë, ato fillojnë të thahen. Në mënyrë të ngjashme, kur trupi humb shumë lëngje, ai fillon të “shterojë”. Kur diagnostikohet hipovolemia, profesionisti shëndetësor i jep pacientit lëngje, ashtu si një kopshtar i jep ujë bimëve kur nuk bie shi.

Simptomat e hipovolemisë

Simptomat e hipovolemisë ndryshojnë në ashpërsi nga personi në person. Shenjat përfshijnë:

• marramendje kur ngriheni në këmbë,
• lëkurë dhe gojë të thatë,
• lodhje ose ndjenjë dobësie,
• ngërçe muskulore,
• pamundësi për të urinuar ose urinë më të errët se zakonisht.

Simptomat e rënda, që mund të tregojnë shok hipovolemik kërcënues për jetën, përfshijnë:

• hutim,
• vështirësi në frymëmarrje ose frymëmarrje të shpejtuar,
• djersitje të tepruar,
• humbje të vetëdijes,
• tension të ulët,
• temperaturë të ulët trupore,
• zbehje ose ngjyrë blu të lëkurës dhe buzëve (cianoza).

Nëse shfaqet ndonjë prej këtyre simptomave, veçanërisht pas një lëndimi, duhet kërkuar menjëherë ndihmë urgjente.

Çfarë e shkakton hipovoleminë

Humbja e lëngjeve trupore apo e gjakut çon në hipovolemi. Trupi mund të humbë lëngje ose gjak në disa mënyra, duke përfshirë:

• Lëndimet: prerje, djegie ose plagë të jashtme.
• Sëmundjet: gjendje të shoqëruara me të vjella dhe diarre të shpeshta.
• Hemorragjinë e brendshme: gjendje që shkaktojnë gjakderdhje brenda trupit.
• Dehidratimin ose kequshqyerjen: mungesa e marrjes së ujit dhe kripërave (elektroliteve) ul vëllimin e gjakut.
• Djersitjen e tepërt: aktivitetet e rënda që shkaktojnë djersitje të zgjatur ose gjendjet që nxisin djersitje të tepruar (hiperhidrozë).

Si diagnostikohet hipovolemia

Pas marrjes së anamnezës, profesionisti shëndetësor kryen një ekzaminim fizik dhe rekomandon analiza laboratorike për të kontrolluar nivelin e lëngjeve dhe natriumit në trup. Niveli i ulët i natriumit mund të jetë shenjë e hipovolemisë. Pas analizave dhe konfirmimit të diagnozës, përcaktohet shkaku i humbjes së lëngjeve për të nisur trajtimin e duhur.

Analizat për diagnostikimin e hipovolemisë

Profesionalisti shëndetësor mund të kryejë disa teste, duke përfshirë:

• Vlerësimin e lëkurës dhe mukozave: gjatë ekzaminimit shikohet nëse lëkura dhe mukozat (goja, gjuha, hunda) janë të thata.
• Matjen e pulsit, temperaturës dhe tensionit: këto maten në ulur dhe në këmbë për të vëzhguar ndryshimet. Marramendja gjatë ngritjes në këmbë është shenjë e hipovolemisë.
• Analiza të gjakut ose urinës për vlerësimin e funksionit të veshkave.
• Ekzaminime me imazh (ultratinguj, ekokardiogram).

Trajtimi i hipovolemisë

Fillimi i shpejtë i trajtimit sjell rezultatet më të mira. Qëllimi është rritja e sasisë së lëngjeve në trup përmes resusitimit me lëngje. Gjatë këtij procesi, lëngu i jepet pacientit në mënyrë intravenoze (IV). Në varësi të nevojave të trupit, trajtimi mund të përfshijë:

• Transfuzion gjaku: për të zëvendësuar gjakun e humbur.
• Solucione kristaloide: molekula të vogla të tretura në tretësirë fiziologjike, tretësirë sheqeri (dekstrozë) ose tretësira me natrium, klorur, kalium, kalcium dhe laktat (Ringer-laktat).
• Koloide: molekula të mëdha që qëndrojnë brenda enëve të gjakut (albumin, hetastarch).

Përveç zëvendësimit të lëngjeve, trajtohet edhe shkaku themelor i hipovolemisë, që mund të përfshijë:

• Trajtimin e infeksioneve ose sëmundjeve.
• Përkujdesjen dhe shërimin e plagëve.
• Plotësimin e lëndëve ushqyese që mungojnë (si natriumi ose elektrolitet).

Si të zvogëlohet rreziku i hipovolemisë

Edhe pse faktorët e jashtëm që çojnë në hipovolemi nuk mund të shmangen gjithmonë, disa hapa të rëndësishëm janë:

• Trajtimi i menjëhershëm i infeksioneve, lëndimeve ose sëmundjeve.
• Shmangia e aktiviteteve që shkaktojnë djersitje të tepërt.
• Pirja e mjaftueshme e ujit dhe ruajtja e hidratimit.
• Parandalimi i prerjeve dhe djegieve duke përdorur pajisje personale mbrojtëse (PPE).