• Tue. Nov 18th, 2025

Refuzohet si e pabazuar ankesa e kandidatit të pavarur për kryetar të Kllokotit, Arbër Emini

Nov 18, 2025

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar në Komunën e Kllokotit, Arbër Emini, e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ZL.A.nr.433/2025, të datës 12.11.2025.

Pas vendimit të PZAP-së, e cila kishte hedhur si të palejuar ankesën e parashtruar nga Arbër Emini, ky i fundit, ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, me të cilën i konteston rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve, duke pretenduar se është shkelur Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe legjislacioni zgjedhor gjatë procesit të votimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale për Kryetar Komune në Kllokot.

“Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave të lëndës, gjeti se ankesa është e pabazuar”, thuhet në njoftim.

Gjykata Supreme e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, lidhur me hedhjen si të palejuar të ankesës së Arbër Emini.