• Sat. Nov 15th, 2025

AAK: S’ka koalicion me VV-në, s’ka votë për Konjufcën

Nov 15, 2025

Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka thënë se pas mbledhjes së Kryesisë së partisë të enjten e kësaj jave, qëndrimi i prerë i AAK-së është se duhet të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare.

Xhemaili ka thënë se AAK s’ka vota për Konjufcën dhe se s’bën koalicion me LVV-në.

Këtë reagim ai e ka bërë pasi një prej anëtarëve të Kryesisë së AAK-së, Besnik Krasniqi, ka përmendur idenë e bërjes së Ramush Haradinajt president.

“AAK ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë të enjten, ku ka dalë me qëndrim të prerë, rrugëdalja e vetme nga gjendja në të cilën ndodhet vendi është shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Të gjithë ata që dalin në publik me ide të tjera, së pari është dashur t’i prezantojnë në mbledhje të Kryesisë, sikurse rasti i z. Besnik Krasniqit, i cili ka munguar në atë takim.Nuk ka koalicion me VV, nuk kemi votë për Konjufcën dhe askënd nga radhët e tyre”, ka shkruar Xhemaili.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka afat deri më 19 nëntor që t’ia propozojë Kuvendit përbërjen e re qeveritare, për të parë nëse i ka votat e nevojshme për ta formuar ekzekutivin e ri.

Në ditën kur u caktua mandatar, Konjufca u bëri thirrje partive tjera politike që t’i linin anash inatet dhe të votonin për një Qeveri të përkohshme deri në prillin e vitit tjetër – kur i skadon mandati presidentes aktuale, Vjosa Osmani – por, partitë e mëdha shqiptare e bënë të qartë se nuk kanë votë për të.

Mirëpo, përpjekja e dytë e Lëvizjes Vetëvendosje për të krijuar ekzekutivin, duket se ka gjasa të vogla që Kosovën ta bëjë me qeveri të re.

Vetë Konjufca u shpreh gjatë javës se nuk e di sa ka gjasa që të bëhet kryeministër.

Nominimi i Glauk Konjufcës për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qëndrimin e partive shqiptare të përfaqësuara në Kuvend. Ato nuk kanë vota për kandidatin e ri të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Glauk Konjufca.

Këto parti ish-opozitare – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate – e kanë bërë të qartë se nuk do ta mbështesin një qeveri të udhëhequr nga Konjufca dhe kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje.