Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se do e padisë kryetarin e zgjedhur të Prishtinës Përparim Ramën.
Sipas tij, për shkak se “vazhdon të dezinformojë për gjoja vendime për bllokim të buxhetit”.
Murati thotë se në situatën e njëjtë janë edhe Gjilani e Zubin Potoku.
“Përparim, thuaj Lumirit bashkë me deputetët tjerë le ta votojnë buxhetin e Komunës së Prishtinës për vitin 2025 në Kuvend. Kaq e thjeshtë është. Përkundër gjendjes faktike pa buxhet të miratuar në Kuvend, dhe sqarimeve shterruese tash e disa herë nga ana ime, Përparim Rama bashkë me Shkëmb Manajn edhe sot paskan vazhduar me shpifje se gjoja unë e paskam bllokuar buxhetin e Komunës së Prishtinës”, thotë Murati.
Pak orë më parë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se ka nisur një kërkesë tjetër për buxhetin e kryeqytetit në drejtim të Ministrisë së Financave, duke i kërkuar Muratit të zhbllokojë buxhetin.
“Boll me lojëra politike, zhbllokoje buxhetin e kryeqytetit”, tha Rama.

