• Thu. Nov 13th, 2025

AAK s’ka votë për Konjufcën, kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme

Bykfvanews

Nov 13, 2025

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë, ku morën pjesë edhe kryetarët e degëve të partisë. Në takim janë diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe përgatitjet për proceset e ardhshme zgjedhore.

Sipas komunikatës së AAK-së, Kryesia ka vlerësuar se gjendja aktuale politike dhe institucionale në vend është “alarmante”, duke theksuar se Kosova ndodhet pa qeveri legjitime dhe me institucione që nuk funksionojnë si duhet.

“Kjo situatë e rëndë politike dhe institucionale kërkon veprim të menjëhershëm. Zgjidhja e vetme dhe e domosdoshme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, që qytetarët të rikthejnë legjitimitetin dhe besimin në institucionet e tyre”, thuhet në njoftim.

Në pjesën e dytë të mbledhjes, është vlerësuar suksesi  i Aleancës në zgjedhjet lokale, ku partia ka fituar bindshëm në pesë komunat që qeveris — Gjakovë, Suharekë, Deçan, Junik dhe Klinë.

AAK ka theksuar se qeverisja e këtyre kryetarëve – Ardian Gjini, Bali Muharremaj, Smajl Latifi, Bashkim Ramosaj dhe Zenun Elezaj – është model i transformimit komunal dhe i qeverisjes së suksesshme.

Kryesia gjithashtu ka miratuar kriteret për përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë dhe ka kërkuar që degët të nisin përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në fund të komunikatës, AAK ka përsëritur qëndrimin e saj se nuk do të jetë pjesë e asnjë procesi që shkel Kushtetutën apo deformon rendin demokratik, duke kërkuar që buxheti i ri të miratohet vetëm pas krijimit të një Qeverie me mandat të plotë.

“Aleanca nuk do të lejojë që Qeveria në detyrë të uzurpojë kompetenca që nuk i takojnë më. Vendi ka nevojë për buxhet të qeverisë legjitime, jo të qeverisë në ikje. S’ka buxhet pa Qeveri. S’ka vendimmarrje pa mandat. S’ka demokraci pa respektim të Kushtetutës”, përfundon njoftimi i AAK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *