Kryeministri shqiptar Edi Rama ka shkruar për takimin mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane që do të zhvillohet gjatë ditës në Romë.
Ai përmes një postimi në Facebook e ka cilësuar takimin e sotëm si ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë.
Kreu i ekzekutivit shqiptar njëherësh njoftoi se gjatë takimit pritet të nënshkruhen 16 marrëveshje që do të forcojnë më tej partneritetin mes dy vendeve.
“Me krenarinë për një tjetër ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, e cila zhvillohet në Romë për t’i hapur rrugë 16 marrëveshjeve të reja konkrete të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit të ngushtë strategjik me fqinjin tonë të çmuar perëndimor, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Italia dhe Shqipëria zhvillojnë sot në Romë Samitin e parë ndërqeveritar, një ngjarje historike që shënon një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Ky është samiti i parë i këtij niveli midis qeverive të dy vendeve, që synon forcimin e partneritetit strategjik mes Romës dhe Tiranës, me fokus në tre fusha kryesore: mbrojtjen, industrinë dhe emigracionin.

