Deputeti Albin Kurti është ftuar tri herë nga Prokuroria në cilësinë e dëshmitarit lidhur me aferën e rezervave shtetërore, por që nuk ka shkuar pavarësishtë ftesës. Lidhur me krejt këtë avokati, Skender Musa ka paralajmëruar se Kurti mund të shoqërohet me Polici për të dhënë dëshmi për rastin e Rezervave shtetërore, shkruan Gazeta KFVA.
Musa duke u bazuar në aktakuzë, në “Rubikon” të Klan Kosovës, thotë se Kurti në qoftë se refuzon të japë dëshminë e tij, rrjedhimisht ai mund të obligohet të paraqitet në Gjykatë.
E në rast se refuzon të paraqitet edhe në Gjykatë, avokati shton se atij mund t’i caktohet paraburgimi deri në gjashtë muaj.
“Gjykata është e obliguar ta thërras [Kurtin], nëse nuk paraqitet në Gjykatë do të shoqërohet, nëse nuk ka rezultat me anë të shoqërimit dhe refuzon dëshminë mund të caktohet paraburgim deri në gjashtë muaj, dhe në këtë drejtim besoj fuqishëm, dhe dua të besoj që vendi ynë ka mundësi me e obligu edhe kryeministrin, dhe të japë shembull që edhe me shoqëru me policë, edhe nëse është kryeministër”, u shpreh Musa.
Ndërkaq Prokuroria Speciale njoftoi se ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj ministres në detyrë, Rozeta Hajdari dhe dy zyrtarëve Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara. Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.
Hajdari, Lipovica e Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës.
Prokuroria thotë se ata i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro.
“Të pandehurit R.H., I.L dhe H.G. akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M. Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”, thuhet në njoftimin e djeshëm të Prokurorisë Speciale.
Prokurorët specialë, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, i kanë propozuar Gjykatës që kryeministri në detyrë Albin Kurti të dëgjohet si dëshmitar në shqyrtim gjyqësor lidhur me skandalin e rezervës shtetërore.
Mirëpo nuk dihet nëse Kurti do të pranojë.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, kishte thënë se Kurti “ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e Prokurorisë”.
Pas ngritjes së aktakuzës, Hajdari ka thënë se ndihet krenare për punën që e ka bërë si ministre.
“Sapo u njoftova nga avokati im, për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne. Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media. Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022”, ka shkruar ajo./

