Ish i dërguar i posaçëm i SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, Christopher Hill, po dëshmon në Hagë, me ftesë të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.
Gjatë dëshmisë së tij, Hill ka folur për takimin e tij të parë me Thaçin gjatë vitit 1998, duke e përshkruar atë si njeri që fliste “butësisht dhe në mënyrë të mendueshme”.
“Mu krijua përshtypja se ai ishte më shumë për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak”, tha Hill për takimin e parë me Thaçin.
I pyetur nëse kishte përshtypjen nëse Thaçi ishte person që kontrollonte UÇK-në, Hill thekoi se nuk kishte bazë për një gjë të tillë.
“Ai ishte në mesin e tre personave që erdhën, të cilët i takova. Por, nuk mu krijua përshtypja se ai ishte një person që në kishte kontroll këtë organizatë të madhe, ose që drejtonte atë. Nuk kishte asnjë bazë për këtë”, dëshmoi ai.
Hill, i pyetur nga mbrojtja se cilat ishin synimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se ajo donte që vetë UÇK-ja të ishte zëri i Kosovës dhe jo Ibrahim Rugova.
“UÇK-ja donte të punonte me Shtetet e Bashkuara sepse mendonte se ato mund t’i ndihmonin Kosovës ta fitojë pavarësinë afatmesme”, tha Hill.
Duke folur rreth bisedimeve në Rambuje më 1999, dhe rolit të Hashim Thaçit në to, Hill tha se Thaçi nuk e pranoi dokumentin e marrëveshjes për shkak se pavarësia e Kosovës nuk përmendej në të.
I pyetur nga mbrojtja se pse ai nuk e pranonte dokumentin, Hill theksoi: “Thaçi më tha se nëse do ta pranoja, do të më vrisnin sapo të kthehesha në Kosovë”.
Hill tha se Thaçi e kishte thënë këtë në dy raste.
“Unë nuk e pyeta si apo nga kush [do të vritej], por thjesht e kuptova se ai nuk ishte në pozitë për të thënë po”, tha Hill.

