Të wpaktën 11 persona kanë humbur jetën pasi një varkë që transportonte emigrantë të paligjshëm është mbytur pranë kufirit midis Tajlandës dhe Malajzisë.
Sipas autoriteteve detare malajziane, 13 persona janë shpëtuar, ndërsa qindra të tjerë rezultojnë të zhdukur. Ata ishin pjesë e një grupi prej rreth 300 personash, kryesisht të përkatësisë rohingya, që ishin nisur nga shteti i varfër Rakhine në Mianmar rreth dy javë më parë me një anije më të madhe, përpara se të ndaheshin në mjete më të vogla lundruese.
Anija e përmbysur besohet të jetë fundosur pranë ishullit turistik Langkaëi, bëri të ditur Roja Bregdetare e Malajzisë. Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë hyrë në ditën e dytë, ndërsa zona e kërkimit është zgjeruar nga 170 në 256 milje detare katrore. Autoritetet detare malajziane kanë njoftuar se kërkimet pritet të zgjasin shtatë ditë. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Bernama, trupi i gjetur në ujë të dielën i përkiste një gruaje rohingya.
Nga 13 të mbijetuarit, 11 janë të komunitetit rohingya dhe dy janë shtetas të Bangladeshit. Autoritetet besojnë se anija e mbytur transportonte rreth 70 persona, ndërsa fati i anijeve të tjera që mbanin pjesën e mbetur të emigrantëve mbetet “i paqartë”.
Rohingyat, një pakicë etnike me besim mysliman në një vend kryesisht budist si Mianmari, prej vitesh përballen me persekutim dhe u mohohet shtetësia nga qeveria mianmareze.
Që prej gushtit të vitit 2017, një fushatë e dhunshme ushtarake e Mianmarit ka detyruar qindra mijëra rohingya të arratisen drejt Bangladeshit.
Megjithatë, konfliktet dhe kushtet e vështira të jetesës në kampet e refugjatëve në Bangladesh i kanë shtyrë shumë prej tyre të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme me anije të mbingarkuara drejt Malajzisë, një vend me shumicë myslimane që ata e shohin si strehë të mundshme të sigurt.
Zyrtarët thonë se shumë prej emigrantëve kanë paguar mbi 3 mij% dollarë amerikanë (rreth 2 mijë e 300 paund) për udhëtimet detare, në kushte të rënda dhe me mungesë të ujit e higjienës bazë.
Shpesh, këto anije nuk arrijnë në destinacion: disa prej udhëtarëve humbasin jetën në det, ndërsa të tjerë arrestohen ose dëbohen nga autoritetet bregdetare.

