Lidhja Demokratike e Kosovës i ka reaguar ministrit në detyrë Xhelal Sveçla për “përplasjen” me një qytetar që kishte logon e LDK-së në xhaktë. Rasti ndodhi pranë një qendre votimi në kryeqytet.
LDK-ja ka dënuar këtë veprim të Sveçlës, teksa ka thënë se personi në fjalë është aktivist i tyre.
“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër sjelljen e papranueshme, arrogante dhe kërcënuese të deputetit Xhelal Sveçla ndaj një aktivisti tonë, i cili po qëndronte qetësisht në trotuar. Përveç tjerash ka ndaluar atë dhe e ka fotografuar pa pëlqimin e tij, veprim ky i ndaluar me ligj dhe përbën shkelje të të drejtave themelore të qytetarëve.”
Sipas LDK-së ky veprim është shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik.
“Një reagim i tillë, i shoqëruar me tone agresive dhe sjellje denigruese, është shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik të atyre që për vite kanë keqpërdorur institucionet e shtetit, e sot ndjehen të zhveshur nga mbështetja qytetare. Përballë qytetarëve dhe simboleve tona, z. Sveçla ka zgjedhur arrogancën në vend të maturisë, kërcënimin në vend të kulturës demokratike.”
“LDK-ja thekson se aktivistët tanë, anëtarët tanë dhe çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë të jetoj e shprehet i lirë pa frikë, presion apo intimidim. Sjellje të tilla përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të standardeve demokratike dhe janë të papranueshme nga kushdo që ka mbajtur apo mban funksione publike. I bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të sigurojnë një mjedis të qetë, të sigurt dhe dinjitoz për të gjithë qytetarët gjatë këtij procesi zgjedhor. LDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj respektit, kulturës demokratike dhe standardeve që e kanë ndërtuar këtë vend.”

