KQZ në fillim të mbledhjes së rregullt, ka vendosur për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë të tri komunave: Prishtinë, Mamushë dhe Junik. Ky vendim i KQZ-së vjen pas konfirmimit nga PZAP se është përmbyllur vendimmarrja lidhur me procesin e ankesave për këto komuna.
Në vazhdim të mbledhjes u prezantua një raport lidhur me fazën përfundimtare të përgatitjes së raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025.
Në mbledhje u njoftua se ka përfunduar shpërndarja e materialit zgjedhor, një proces i cili është zhvilluar në disa faza. Fillimisht, më 5 dhe 6 nëntor në Qendra Komunale të Numërimit janë shpërndarë kutitë e votimit; kabinat e votimit dhe materiale të tjera administrative, ndërkaq më 8 nëntor, nën përcjellje e Policisë së Kosovës janë shpërndarë materialet tjera zgjedhore, si: fletëvotimet, listat votuese, ngjyra matrikulare dhe vulat.
Ndërkohë, anëtari i KQZ-s nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi ka ngritur çështjen e votimit me asistencë dhe vonesës së dërgimit të fletëvotimeve në adresat e diasporës.
“Kemi shumë kërkesa ose ankesa që nuk kanë mbërri fletëvotimet nëpër adresa përkatës dhe ky është problem i postës dhe jo problem i jon i brendshme”, tha ai.
Drejtori i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Besnik Buzhala, tha se nuk kanë informata se sa do të jetë numri i fletëvotimeve që nuk kanë arritur me kohë tek diaspora.
Anëtari i KQZ-s nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi tha se votimi me asistencë pa dëshmuar me dokument nuk lejohet.
Ndërkohë, anëtari tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi tha se numri i personave me nevoja të veçanta dhe analfabet, po del se është shumë më i lartë gjatë votimit, gjë që po ndodhin pastaj votimi i asistuar.
Derisa Kurteshi dhe anëtarët e PDK-së, Arianit Elshani akuzuan njëri tjetrin për trenin bullgarë, akuza pati edhe për votat me asistencë.
“Nuk shkon kështu, kolegu ka kërkuar mos të bëhet hulumtimin e votave me asistencë sepse është pjesë e kësaj pjese. Numrat nuk i ndryshon askush. Statistikat i kemi të miratuara dhe jam duke folur me statistika…58. 584 votues kanë votuar me asistencë në zgjedhjet lokale 2017, 55. 961 kanë votuar në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës në vitin 2019. A e dini sa është sot, në 19 komuna është 9 mijë”, tha ai.
Sami Hamiti nga LDK u ndal te dërgimi i fletëvotimeve te mërgata, raporton KP, transmeton Klankosova.tv.
Në gjithsej 29.725 votues nga jashtë Kosovës nga raporti që kanë marrë dje , tek votuesit kanë mbërri 20.033 zarfe me fletëvotime ose 68% e votuesve kanë marrë zarfet me fletëvotime. Ndërkohë, 3170 votuesve nuk kanë qenë në shtëpi në momentin që i ka shkuar zarfi.

