Numri i punëtorëve që humbin jetën gjatë kryerjes së detyrave të punës po rritet me ritme alarmante në Kosovë. Në krye të listës së sektorëve më të rrezikuar qëndron ndërtimtaria, ku mungesa e masave elementare të sigurisë, pajisjeve mbrojtëse dhe mbikëqyrjes profesionale po kthehet në kërcënim të përditshëm për jetën e punëtorëve.
Edhe pse legjislacioni kosovar për sigurinë dhe shëndetin në punë është i harmonizuar me direktivat evropiane, zbatimi i tij në praktikë mbetet minimal. Mosrespektimi i rregullave, mungesa e kontrolleve efektive dhe ndëshkimet simbolike për shkelësit po e thellojnë krizën e sigurisë në vendet e punës.
Sindikatat dhe organizatat e punëtorëve kanë ngritur vazhdimisht alarmin, por institucionet përgjegjëse akuzohen për mosveprim dhe mungesë të masave konkrete që do të parandalonin tragjeditë e përsëritura.
Të dhënat zyrtare dhe dëshmitë nga terreni zbulojnë një realitet të rëndë, ku çdo muaj humben jetë njerëzish në vendet e tyre të punës — shumica prej tyre në kantieret e ndërtimit.
Inspektorati i Punës sqaron se në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me mungesën e kushteve të sigurta për punë.
“Rastet kanë ndodhur në sektorin e ndërtimtarisë, prodhimtarisë, elektricitet dhe shërbimeve. Në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me mungesën e kushteve të sigurta për punë, mospërdorimi i pajisjeve personale mbrojtëse, trajnimeve dhe mosvlerësimi i rrezikshmërisë në vendin e punës”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit të Punës.
Të pyetur nëse ka kompani që janë ndjekur penalisht për neglizhencë që ka çuar në humbje jete, nga Inspektorati thonë se “në të gjitha rastet kur kemi të bëjmë me aksidentet në vendin e punës edhe organet tjera duke përfshirë Prokurorin e Shtetit janë të involvuara në këto raste”.
Por situata, sipas kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, është shumë më e rëndë sesa tregojnë statistikat zyrtare.
Ai shprehet me shqetësim të madh për mungesën e reagimit institucional.
“Në situata e sigurisë në vendin tonë, përkatësisht respektimi i Ligjit mbi Sigurinë dhe Shëndetin, s’ka qenë asnjëherë më e rëndë që nga paslufta. Në këtë vit ne vetëm nga një janari i 2025 deri me në fund tetorit, i kemi 29 raste të vdekjeve. Dhe nga këto janë 29 raste të vdekjeve, shtatëdhjetë për qind të rasteve janë ato raste të cilat kanë ndodhur në ndërtimtari”.
Sipas Azemit, viktimat janë kryesisht të rinj.
“Dhe fatkeqësisht kemi punëtorë që kanë vdekë që nga mosha 23-vjeç e deri në moshën 45-vjeç”.
Ai thekson se përkundër këtij numri të madh të viktimave, institucionet nuk kanë ndërmarrë masa konkrete.
“Hala më e rëndë është ajo, sepse gjithë ky numër i madh i punëtorëve të vdekur, asnjë iniciativë as nga Qeveria, as nga Inspektorati i Punës, ne nuk po i shohim. Dhe është një shqetësim i madh, të cilin po e përjeton sindikata dhe institucionet tjera, nuk janë duke bërë asgjë lidhur me këtë”.
Sipas tij, edhe pse sindikata apelon vazhdimisht për kujdes, reagimi institucional mungon.
“Ne në fakt sa herë na është dhënë rasti, normal që përmes apeleve tona i kemi thirrë punëtorët pasi që të kenë kujdes ndaj vetvetes, sepse institucionet tona nuk janë duke u marrë me të. Në momentin kur po ndodhë diçka, nuk po merret askush me ta… Rezultatet janë jashtëzakonisht shumë të tmerrshme”.
Azemi shton se “në rend të parë ne themi se 95% të rasteve faktori njeri është shkaktari i gjithë tyre vdekjeve”.
“Por, megjithatë pronari i kompanisë ka për obligim që ta largojë nga punishtja punëtorin që nuk përdor pajisjen mbrojtëse”.
Megjithatë, ai kritikon ashpër neglizhencën e pronarëve të kompanive dhe mungesën e përgjegjësisë ligjore.
“Për shkak të mosrespektimit të mjeteve të punës, pronari i kompanisë dënohet me pesëdhjetë euro njëqind euro, që në fakt për ta nuk janë asgjë”.
Në shembull konkret, Azemi përmend një rast tragjik:“E dimë që në Bechtel-Enkë ka humb jetën punëtori në vend punishte dhe Inspektorati i Punës e ka dënuar më një dy mijë e pesëqind euro. Pra, unë e kam thënë që jeta e një kafshe sot po kushton ma shumë ma shtrenjtë sesa jeta e një punëtori”.
Ai thekson se përgjegjësia kryesore bie mbi pronarët e kompanive.
“Ne e shohim raste në terren, sa herë që vdesin këta punëtorë, domethënë ekskluzivisht fajtor është pronari i kompanisë, në fillim dhe mbarim është pronari i kompanisë”.
Në fund, Azemi e përmbyll me një apel ndaj institucioneve.
“Definitivisht, shteti nuk është duke u marrë me këtë problematikë… mungesa e dhënies së një verdikti që duhet ta ketë një pronar i kompanive për neglizhencën që ka humb jetën ky punëtor, ajo nuk po ndodh dhe kjo po merret si gjë normale”.
Aksidentet fatale në vendin e punës në Kosovë – mungesa e masave të sigurisë, arsyeja kryesore
Mospërdorimi i masave mbrojtëse dhe mungesa e trajnimeve mbeten shkaqe kryesore të aksidenteve në punë në Kosovë.
Kështu deklaron Naim Bajraktari, ekspert i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, i cili thekson se edhe pse legjislacioni është i avancuar, zbatimi i tij në praktik lë për të dëshiruar.
“Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë është në përputhje me direktivat evropiane, por në praktikë ai zbatohet dobët. Numri i vogël i inspektorëve dhe mungesa e ndëshkimeve efektive e ulin përgjegjësinë e punëdhënësve”, tha Bajraktari.
Sipas tij, kompanitë duhet të marrin masa konkrete për të parandaluar aksidentet, përfshirë investime në trajnime të rregullta, sigurimin e pajisjeve mbrojtëse individuale dhe kolektive, si dhe angazhimin e personave të certifikuar ose kompanive të licencuara për mbikëqyrje të sigurisë në punë.
“Këto kompani të specializuara mund të japin vërejtje, të organizojnë trajnime dhe, në raste të caktuara, të pezullojnë punimet deri në aplikimin e masave mbrojtëse”, shtoi ai.
Një tjetër çështje e ndjeshme në tregun e punës në Kosovë mbetet statusi i punëtorëve migrantë.
Bajraktari thotë se sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, numri i tyre është në rritje, sidomos në sektorin e gastronomisë, megjithatë mungon një bazë e plotë dhe e përditësuar e të dhënave.
Edhe pse ligji garanton trajtim të barabartë për punëtorët migrantë dhe ata vendas, Bajraktari thekson se në praktikë shpesh vërehen dallime.
“Migrantët përballen me paga më të ulëta dhe mungesë trajnimesh dhe udhëzimesh në gjuhën që e kuptojnë. Institucionet shtetërore duhet të shpeshtojnë inspektimet për të garantuar në respektimin e plotë të të drejtave të tyre”, nënvizoi ai.
Eksperti i fushës kërkon që shteti dhe sektori privat të bashkëpunojnë më ngushtë për të ngritur kulturën e sigurisë në punë dhe për të shmangur humbjet tragjike të jetëve njerëzore.
Raste tragjike që tregojnë pasojat e mosveprimit
Tragjedia më e fundit që përforcon këtë realitet është rasti i Faik Mehmetajt, 34 vjeç, punëtor ndërtimi nga komuna e Klinës, i cili humbi jetën më 29 tetor 2025, pasi ra nga skelet.
Pas ngjarjes, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ndaluar pronarin e kompanisë, N.B., dhe ka parashtruar kërkesë për paraburgim.
“Referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se lidhur me rastin, me datë 29.10.2025 me urdhër të prokurorit është ndaluar i pandehuri N.B. Për të njëjtin brenda afatit ligjor, Prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” nga neni 358 par.7 lidhur me par.3 dhe me par.2 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, ka konfirmuar për Telegrafin, Fitore Mehmeti, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Ky rast tragjik është një shembull i qartë i pasojave që mund të kenë moszbatimi i standardeve të sigurta në punë dhe tregon urgjencën për veprime konkrete nga institucionet përgjegjëse, si dhe përgjegjësinë e pronarëve të kompanive për jetën e punëtorëve të tyre.
Çfarë thotë Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë?
Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (Nr. 04/L-161), i miratuar më 14 qershor 2013 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, përcakton rregullat, detyrimet dhe përgjegjësitë që kanë punëdhënësit dhe punëmarrësit për të siguruar kushte të sigurta e të shëndetshme pune.
Më poshtë është një përmbledhje e përmbajtjes kryesore të ligjit sipas kapitujve dhe neneve:
Punëdhënësi ka përgjegjësi të plotë për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve
Detyrime kryesore:
Të sigurojë kushte të sigurta pune dhe t’i mbulojë shpenzimet në rast aksidenti ose sëmundjeje profesionale;
Të bëjë vlerësimin e rreziqeve për çdo vend pune;
Të trajtojë të gjithë punonjësit njësoj në çështjet e sigurisë;
Të ndërmarrë masa parandaluese për shmangien e rreziqeve;
Të informojë, trajnojë dhe pajisë punonjësit me mjete mbrojtëse;
Detyrimet e të punësuarve
Punonjësi duhet të kujdeset për sigurinë e vet dhe të të tjerëve;
Duhet të përdorë siç duhet pajisjet dhe mjetet mbrojtëse;
Të raportojë menjëherë rreziqet ose situatat e pasigurta;
Ka të drejtë të refuzojë punën në kushte të rrezikshme, derisa ato të eliminohen.

