Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paralajmëroni investime në luftën kundër kancerit, rritje pagash për mjekët dhe ngritjen e Institutit Kombëtar të Tumoreve, projekt që synon Shqipërinë 2030, shkruan Gazeta KFVA.
Rama bëri të ditur sot një vendim të rëndësishëm në fushën e shëndetësisë, duke njoftuar se 15 milionë euro ekstra do të futen në buxhetin e shtetit në shërbim të pacientëve të Onkologjikut.
“Për herë të parë hapim një linjë financimi vetëm për këtë nevojë jetike. Janë 15 milionë euro shtesë që do të shkojnë për barnat e shtrenjta dhe shërbimet e luftës kundër kancerit. Rikonstruksioni i gjirit për gratë dhe vajzat që kalojnë kancerin do të ofrohet plotësisht falas”, deklaroi Rama.
Kryeministri zbuloi gjithashtu se Ministrja e Shëndetësisë është shpallur ndër 100 gratë më influente në botë për kontributin në fushën e onkologjisë dhe do të udhëheqë projektin “Shqipëria 2030” për ngritjen e Institutit Kombëtar të Tumoreve.
Pjesë e planit sipas Ramës janë edhe rritjet e reja të pagave për punonjësit e sistemit shëndetësor.
“4,600 mjekë, infermierë dhe farmacistë, si dhe 14,200 teknikë e laborantë do të përfitojnë paga më të larta. Ky është një mesazh për gjeneratën e re të bluzave të bardha se në Shqipëri mund të punohet me dinjitet”, theksoi Rama.
Sipas tij, qëllimi është që Shqipëria e vitit 2030 të jetë vendi ku ikja s’është më domosdoshmëri, por zgjedhje personale.

