Të dielën e 9 nëntorit, qytetarët do t’u drejtohen sërish kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e komunave ku asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë 50+1% të votave në zgjedhjet e 12 tetorit, shkruan Gazeta KFVA.
Komunat të cilat do të votojnë për herë të dytë janë Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prishtina, Prizreni, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokot
Nga këto komuna, garë e ngushtë pritet të jetë në Prishtinë, Mitrovicë, Fushë Kosovë, Obiliq e Vushtrri.
Në Prishtinë do të garojnë Përparim Rama nga LDK dhe Hajrulla Çeko nga VV, ku Rama ka marrë 33.71%, ndërsa Çeko 33.21%. Edhe në Fushë Kosovë gara do të jetë ndërmjet LDK-së dhe VV-së, me kandidatët Valon Prebreza, i cili ka marrë 45.15%, ndërsa Besnik Osmani ka marrë 36.66%.
Në Mitrovicë do të garojnë kandidati i PDK-së, Arian Tahiri, dhe Faton Peci nga VV, ku Peci ka marrë 47.94%, ndërsa Tahiri 47.57%.
Edhe në komunën fqinje të Mitrovicës, në Vushtrri, do të jenë në garë PDK dhe VV me kandidatët Ferit Idrizi dhe Sylejman Meholli, ku Idrizi në raundin e parë të zgjedhjeve ka arritur të marrë 45.24%, ndërsa Meholli 30.81%.
Ndërkaq, në Obiliq do të garojnë për të parin e qytetit Xhafer Gashi nga LDK dhe Halil Thaçi nga VV, ku Gashi ka marrë 46.20%, ndërsa Thaçi ka marrë 44.37%.
Ndërsa, në Komunën e Kllokotit është tërhequr Sreqko Spasiq nga Nisma Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb” i cili njoftoi se i është bashkuar Listës Serbe, por megjithatë KQZ ka thënë se pavarësisht ai ka njoftuar për tërheqjen nga gara, në këtë komunë do të mbahet rundi i balotazhit.
Zyrtarisht, fushata për balotazhin ka nisur të hënën e 3 nëntorit, ku edhe në këtë fushatë ka pasur kryesisht gjuhë të ashpër, sidomos nga lideri i VV-së, Albin Kurti.
Një gjuhë të tillë e përdori të mërkurën Kurti në Pejë, ku shkoi për ta ndihmuar kandidatin e partisë së vet që po garon në balotazh, Valon Kelmendi, për kryetar të këtij qyteti.
“Peja do Kelmend me mend, jo Muhaxher me sherr”, ishte fjalori ofendues që Kurti e përdori gjatë fushatës, e që shkaktoi reagime të shumta.
Edhe në nisje të fushatës së balotazhit, Kurti u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për ta, duke i “kërcënuar” se nëse nuk i votojnë ata, komunat nuk do të kenë buxhet si komunat që qeverisë VV-ja.
Sipas vendimit të KQZ-së për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 9 nëntor 2025, numri i qytetarëve me të drejtë vote në 18 komunat ku zhvillohet balotazhi është 1,346,397 votues, ku nga ata 1,316,672 votues janë të regjistruar në vend, ndërsa 29,725 qytetarë janë regjistruar për votim jashtë vendit, të cilët do të votojnë përmes postës.
Megjithatë, një nga sfidat kryesore të raundit të dytë mbetet pjesëmarrja e ulët, ku sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, balotazhet në Kosovë historikisht kanë regjistruar interes më të vogël të qytetarëve sesa raundi i parë. Në zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja ra nga 43% në rreth 38%.

