• Thu. Nov 20th, 2025

Vdekja e foshnjës njëvjeçare, Spitali i Pejës del me reagim: Kishte çrregullime të vetëdijes dhe probleme serioze në frymëmarrje

Nov 7, 2025

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka dalë me njoftim lidhur me vdekjen e foshnjës 1-vjeçare në këtë spital, për çka prindërit kanë akuzuar mjekët për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Nga Spitali kanë deklaruar se fëmija fillimisht shtë pranuar në spital në orën 22:15 të datës 5 nëntor 2025 nga mjeku kujdestar, me ankesa për të vjella.

“Pas trajtimit të ofruar, gjendja e tij është stabilizuar dhe ai është liruar me rekomandimin që të përcillet nga afër dhe, në rast nevoje, të rikthehet për kontroll shtesë”, thuhet në njoftim.

Mëngjesin e 6 nëntorit, rreth orës 07:00, nga spitali kanë thënë se fëmija është sjellë sërish në spital, këtë herë në gjendje të rëndë, me çrregullime të vetëdijes dhe probleme serioze në frymëmarrje, shkruan Reporteri.net.

“Menjëherë është trajtuar nga ekipi i mjekëve me oksigjen dhe terapi mbështetëse, por për shkak të përkeqësimit të gjendjes është kryer intubimi nga ekipi i anesteziologëve. Pavarësisht masave reanimatore të ndërmarra me përkushtim dhe sipas protokolleve mjekësore, fatkeqësisht fëmija ka ndërruar jetë në orën 08:50. Në përputhje me procedurat ligjore dhe protokollet standarde, Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës, në orën 09:13, si dhe organet kompetente për zhvillimin e hetimeve sipas ligjit. Spitali mbetet në dispozicion të institucioneve përgjegjëse për çdo sqarim shtesë, duke respektuar dhimbjen dhe privatësinë e familjes”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se është duke e hetuar rastin.

“TRAJTIM I PANDËRGJEGJSHËM MJEKËSOR – Rr. Nënë Tereza, Pejë 06.11.2025 – 08:50. Ankuesi mashkull kosovar, ka njoftuar se fëmija i tij, rreth një vit e gjysme, pasi e kishte dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, për shkak se kishte qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, ka ndërruar jetë. Sipas ankuesit, ai edhe me datën 05.11.2025 fëmijën e kishte dërguar për trajtim në spitalin e njëjtë dhe pas tretmanit ishte liruar në shtëpi. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.