Që nga themelimi i institucioneve të Kosovës, asnjë Qeverie nuk i ka ndodhur që pacientët të mbesin pa shërbime jetike si shkak i mungesës së medikamenteve. Qeverisë Kurti, që ka hyrë në vitin e 5-të qeverisjes, i kanë dështuar dy tenderë për furnizim me medikamente për pacientët që marrin shërbime të dializës nëpër qendrat spitalore të Kosovës.
Dy tenderë me vlerë miliona euro, të shpallur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) për furnizimin me materiale të hemodializës, kanë dështuar, duke rrezikuar jetën e mbi 800 pacientëve që marrin këtë shërbim në vazhdimësi. Tenderi i parë, në vlerë të parashikuar prej 5 milionë e 456 mijë euro, është bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) pas një ankese për dyshime se ka shkelje ligjore dhe falsifikim dokumentesh, ndërsa tenderi i dytë emergjent me negociim është anuluar për shkak që operatorët kanë ofruar çmime më të larta nga ajo që ka parashikuar Autoriteti Kontraktues. Kjo situatë ka shkaktuar bllokadë në tërë sistemin shëndetësor ku ofrohen shërbimet e hemodializës.
Nga SHSKUK kanë thënë se “nuk do të ndërpriten shërbimet për pacientët”. Sipas përgjigjes për Periskopin, këto vonesa nuk mund të ndikojnë në gjendjen shëndetësore të pacientëve, duke kërkuar mirëkuptim.
“Ka mundur dje të ketë ndonjë vonesë në fillim të shërbimeve, e që nuk ndikojnë në gjendjen shëndetësore të pacientëve, ndaj të cilëve kërkojmë mirëkuptim, duke i njoftuar se të gjithë do të marrin shërbimet e nevojshme mjekësore nga stafi i dializës së institucionit përkatës”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Tenderi me vlerë të parashikuar mbi 5.4 milionë euro, i shpallur nga ShSKUK për “Furnizim me material për Hemodializë nga LE”, është dërguar për shqyrtim në OSHP pas një ankese të kompanisë “Medi Health” LLC më 13 tetor 2025. Kjo kompani ka kundërshtuar vendimin e SHSKUK-së për dhënien e kontratës kompanisë “Meditech”, duke ngritur dyshime serioze për falsifikim dokumentesh, shkelje të ligjit të prokurimit dhe rrezikim të jetës së pacientëve.
Në ankesë, “Medi Health” pretendon se në dosjen e tenderit janë bërë ndërhyrje fizike dhe shtesa post-faktum në katalogun e ofruar nga “Meditech”, konkretisht në specifikat teknike të produktit “Koncentrat Pluhur i Bikarbonateve në qese 650g”, që përdoret në pajisjet për hemodializë.
“Ekspertiza grafike e autorizuar nga ne, e datës 13.10.2025, ka konstatuar ndërhyrje fizike dhe shtesa post-faktum në katalogun e dorëzuar nga ‘Meditech’. Janë shtuar rreshta për produkte që nuk ekzistojnë në katalogun origjinal të prodhuesit ‘Sanxin’”, thuhet në ankesë.
Sipas operatorit ankues, në dokumentin për Lotin 1 janë futur produkte si SXG-F dhe SXG-F-B (650g), që nuk ekzistojnë në katalogun zyrtar të prodhuesit. Këto ndryshime, sipas tyre, janë bërë për ta përshtatur ofertën me kërkesat e tenderit dhe për ta siguruar kontratën në mënyrë të kundërligjshme.
Në të njëjtën ankesë, “Medi Health” thekson se produkti i ofruar nga “Meditech” nuk posedon certifikatën e sigurisë CE, e cila është dokument thelbësor për pajisjet dhe materialet mjekësore që përdoren te pacientët.
“Komunikimi me prodhuesin ‘Sanxin’ konfirmon se ata nuk posedojnë CE Certifikatë për produktin 650g, por vetëm për variantin 700g”, thuhet në ankesë, duke e cilësuar këtë si rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin dhe jetën e pacientëve.
Sipas pretendimeve, edhe Komisioni vlerësues i ofertave në SHSKUK ka qenë në dijeni të këtyre ndryshimeve. Në një raport të brendshëm të datës 02.10.2025, një anëtare e komisionit kishte evidentuar se katalogu i “Meditech”-ut përmbante ndryshime fizike dhe rreshta të nënvizuar me “highlight” për produkte që nuk ekzistojnë në katalogun e prodhuesit origjinal.
Megjithatë, SHSKUK e ka shpallur “Meditech”-un fitues, ndërsa kërkesa për rishqyrtim e “Medi Health”, është refuzuar më 16 tetor 2025, pa u shqyrtuar provat forenzike, ekspertizat grafike apo komunikimet me prodhuesin.
Në dokumentet e dorëzuara në OSHP, “Medi Health” përmend edhe shkelje të tjera të Ligjit për Prokurim Publik, përfshirë nenet që ndalojnë diskriminimin, kërkojnë barazi në trajtim dhe saktësi teknike në dokumentacionin e ofertuesve. Kompania i referohet nenit 130 të LPP-së, ku përcaktohet se çdo zyrtar publik që merr vesh për shkelje të tilla është i detyruar të njoftojë menjëherë Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Medi Health” kërkon që OSHP-ja të autorizojë një ekspert të pavarur forenzik për të verifikuar autenticitetin e dokumenteve dhe vlefshmërinë e certifikatës CE për produktin 650g, duke paralajmëruar se çështja përmban elemente të veprës penale sipas neneve 414 dhe 415 të Kodit Penal të Kosovës.
Një tjetër pikë e përmendur lidhet me autorizimin e dyshimtë të përfaqësuesve të kompanisë “Meditech” nga prodhuesi “Sanxin”. Sipas një emaili të datës 03.10.2025, i përfshirë si provë në dosje, autorizimi është dërguar personave fizikë dhe jo subjektit juridik, një detaj që, sipas ankuesit, tregon mungesë transparence dhe mundësi manipulimi.
Aktualisht, tenderi mbetet i bllokuar në OSHP, pasi autoriteti kontraktues nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim derisa të merret vendimi përfundimtar. Procesi pritet të zgjasë, pasi OSHP ka një numër të madh lëndësh në shqyrtim dhe trajtimi i tyre kërkon kohë.
Ankesën e plotë e gjeni: KËTU: Ankesa 1049-25_compressed (1)
Pas dërgimit të ankesës në OSHP, SHSKUK shpalli një tender emergjent për “furnizim emergjent me material për Hemodializë nga LE”, në vlerë të parashikuar prej 408,393.44 euro, me qëllim që pacientët të mos mbesin pa trajtim. Por edhe ky tender ka dështuar. Tenderi emergjent ishte zhvilluar pa publikim të njoftimit të kontratës, për shkak të natyrës urgjente të situatës, dhe vetëm me negociim. Megjithatë, negociatat nuk kanë prodhuar asnjë rezultat, pasi të gjitha ofertat kanë tejkaluar buxhetin e parashikuar nga autoriteti kontraktues.
“Të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”, thuhet në njoftimin zyrtar të SHSKUK-së.
Ndërsa tenderi i parë mbetet i bllokuar në OSHP dhe tenderi emergjent është anuluar, pacientët përballen me mundësinë që shërbimet e hemodializës të ndërpriten në të gjitha spitalet ku ofrohen në Kosovë.



