• Thu. Nov 6th, 2025

Presidenca për Isa Mustafën: Koha e tij në politikë, fatmirësisht ka perënduar

Bykfvanews

Nov 6, 2025

Zëvendëshefja e stafit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Learta Hollaj, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-kryeministrit Isa Mustafa, duke i cilësuar ato si “shpërthim i hidhur i një njeriu që nuk po gjen qetësi për ta pranuar fundin e tij politik”.

Në reagimin e saj, Hollaj tha se Mustafa, në vend që të reflektojë për dështimet politike, “zgjedh të sulmojë një lidere që në çdo hap ka mbrojtur demokracinë, sovranitetin dhe dinjitetin e Kosovës”.

“Në vend që të heshtë dhe të reflektojë për dështimet e veta politike, çmimin e të cilave akoma e paguan Kosova, për mënyrën se si e zhbëri besimin e qytetarëve dhe e ktheu partinë e tij në një hije të vetvetes, ai zgjedh të sulmojë një lidere që e ka mbrojtur demokracinë dhe shtetin”, tha Hollaj.

Ajo i kujtoi Mustafës se kur ai flet për “tradhti”, qytetarët kujtojnë “marrëveshjet e errëta të vitit 2014, pazaret e pushtetit dhe marrëveshjet e dëmshme me Serbinë që përmbanin shkelje kushtetuese”.

Sipas saj, Osmani, që atëkohë ishte deputete, kishte refuzuar të bëhej pjesë e atyre marrëveshjeve dhe “kjo nuk ishte tradhti, por besnikëri ndaj Kosovës dhe qytetarëve”.

“Nuk është tradhti të mos u bindesh verbërisht liderëve si Mustafa që devijojnë nga parimet dhe shkelin interesat e Kosovës. Është akt guximi. Është thelbi i demokracisë që Presidentja Osmani e mbron me konsistencë”, shtoi Hollaj.

Në fund të reagimit, ajo theksoi se “koha e burrave që mendojnë se populli u detyrohet atyre ka perënduar”, duke shtuar se sot flasin “veprat, besimi qytetar dhe vlerat që përfaqëson Presidentja e vendit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *