• Wed. Nov 5th, 2025

Aksidenti ajror në Louisville, shkon në 9 numri i viktimave

Bykfvanews

Nov 5, 2025

Një aksident ajror i rëndë ka tronditur qytetin Louisville në shtetin amerikan të Kentucky-t, pasi një avion mallrash i kompanisë UPS u përfshi nga flakët menjëherë pas ngritjes dhe u rrëzua, duke shkaktuar nëntë viktima.

Kryebashkiaku Craig Greenberg konfirmoi se nëntë trupa janë gjetur në vendngjarje, ndërsa guvernatori i Kentucky-t, Andy Beshear, paralajmëroi se bilanci mund të rritet pasi të paktën 10 persona rezultojnë ende të zhdukur.

Sipas Reuters, UPS ka deklaruar se në bord ndodheshin tre anëtarë ekuipazhi, asnjëri prej të cilëve nuk mbijetoi. Përveç tyre, disa persona që ndodheshin në ndërtesat e përfshira nga zjarri janë në mesin e viktimave

Autoritetet konfirmuan se 11 persona janë dërguar në spital, ndërsa dy mbeten në gjendje kritike. Guvernatori Beshear e përshkroi situatën si “tragjike, por që mund të kishte qenë shumë më e keqe”.

“Avioni kaloi shumë pranë një restoranti, një fabrike të madhe të Ford-it me qindra punëtorë dhe qendrës sonë të konventave, ku po zhvillohej një ekspozitë bujqësore me shumë vizitorë”, tha ai.

Ndërkohë, Aeroporti i Louisville është rihapur për trafikun ajror në orët e para të së mërkurës, por pista ku ndodhi aksidenti do të qëndrojë e mbyllur për rreth 10 ditë. UPS njoftoi anulimin e turnit të mëngjesit për përpunimin e pakove në qendrën e saj logjistike pranë aeroportit.

Hetuesit e Bordit Kombëtar për Sigurinë e Transportit (NTSB) mbërritën në vendngjarje për të nisur hetimet. Ata do të përpiqen të gjejnë “kutitë e zeza”, regjistruesit e të dhënave dhe zërit në kabinë, për të përcaktuar shkaqet e sakta të rrëzimit.

Eksperti amerikan i sigurisë ajrore Anthony Brickhouse tha për Reuters se hetimet fillestare pritet të fokusohen tek motori numër një, i cilimori flakë dhe u shkëput nga avioni gjatë ngritjes.

“Avioni është projektuar të fluturojë edhe nëse humbet një motor, por duhet parë ndikimi që pati kjo humbje në strukturën e përgjithshme të tij”, shpjegoi ai.

Avioni ishte furnizuar me karburant për një fluturim 8 orë e gjysmë drejt Honolulu-t dhe transportonte ngarkesë komerciale të zakonshme. Ky është aksidenti i parë fatal i UPS-it që nga viti 2013, kur një avion tjetër i kompanisë u rrëzua gjatë uljes në aeroportin e Birminghamit, Alabama, duke vrarë të dy anëtarët e ekuipazhit.

Hetimet pritet të zgjasin disa javë, ndërsa autoritetet lokale kanë shpallur ditë zie për viktimat e tragjedisë që ka tronditur gjithë komunitetin e Louisville.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *