Një zyrtar i lartë i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka deklaruar të ardhura dhe pasuri të konsiderueshme për vitin 2024, përfshirë disa burime pune në sektorin publik dhe privat, një biznes personal, prona, veturë dhe kriptovaluta. Sipas deklaratës së dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit më 25 mars 2025, Valon Hyseni, specialist antropolog mjeko-ligjor në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, figuron me një aktivitet profesional të gjerë që shtrihet përtej institucioneve publike.
Punësim paralel në publik dhe privat
Hyseni punon në sektorin publik që nga viti 2012, me pozitën e specialistit në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Por krahas këtij funksioni, ai ushtron edhe dy angazhime të tjera profesionale.
Në Universitetin “Hasan Prishtina”, ai është i angazhuar si asistent në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa në sektorin privat mban rolin e ligjëruesit në KSHM Rezonanca, një institucion arsimor shëndetësor që operon në Prishtinë.
Të dy këto funksione janë deklaruar si aktivitete shtesë, ndërsa në formular figurojnë me nivel menaxherial të angazhimit.
Prona dhe pasuri materiale
Në aspektin financiar, zyrtari i Mjekësisë Ligjore ka deklaruar një banesë prej 118 metra katrorë, e blerë në vitin 2019 me kursime personale, me vlerë 100 mijë euro. Po në të njëjtin vit, ai ka blerë edhe një garazhë 12 m2, përmes kredie, me vlerë 2,160 euro.
Në pronësinë e tij figuron edhe një veturë Audi A4, e blerë për 18 mijë euro, që renditet ndër pasuritë e lëvizshme me vlerë mbi 3,000 euro.

Përveç pronës dhe veturës, Hyseni ka investuar edhe në kriptovaluta, konkretisht në XRP (Ripple) dhe DogeCoin, me vlerë aktuale rreth 162 euro, të blera në mars të vitit 2024 për 350 euro.
Në pjesën e zotërimeve tregtare, ai figuron si pronar i vetëm (100%) i biznesit individual “Valon Hyseni BI”, të regjistruar në mars të vitit 2016.
Ky aktivitet ekonomik i ka sjellë të ardhura vjetore prej 13,810 euro, duke e renditur si burimin e dytë më të madh të të ardhurave të tij pas pagës shtetërore.
Gjendja bankare dhe kreditë
Në disa llogari bankare të hapura në NLB Bankë, Raiffeisen Bank dhe Bankën për Biznes, Hyseni ka deklaruar gjendje të kufizuar – nga 0.87 deri në 575 euro, me një total të përgjithshëm rreth 1,700 euro.
Ndërkohë, ai bart dy kredi aktive: një për blerje banese me shumë 48 mijë euro, marrë në vitin 2020, dhe një tjetër për blerje veture me shumë 19,637 euro, marrë në shtator të vitit 2023.

Të ardhurat vjetore të familjes
Gjatë vitit të kaluar, të ardhurat e përgjithshme të familjes Hyseni kanë arritur në mbi 60 mijë euro.
Vetë zyrtari ka përfituar 20,615 euro nga paga e rregullt në Ministrinë e Drejtësisë, 1,179 euro nga Universiteti i Prishtinës dhe 6,185 euro nga KSHM Rezonanca.
Për më tepër, ai ka përfituar 415 euro nga mëditjet jashtë vendit dhe 13,810 euro nga biznesi personal.
Në anën tjetër, prindi i tij ka deklaruar pension bazë prej 6,228 euro, ndërsa tre fëmijët përfitojnë nga 320 euro secili si shtesa mujore nga Ministria e Financave.
Në total, pasuria e deklaruar e Hysenit vlerësohet të kalojë 70 mijë euro, duke përfshirë banesën, veturën, garazhën, kursimet dhe asetet virtuale.


