NISMA Socialdemokrate ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, duke vlerësuar se Kosova ndodhet në një ngërç të paprecedentë institucional, si pasojë e mungesës së vullnetit politik për marrëveshje dhe vendimmarrje të përgjegjshme.
Në komunikatën e lëshuar, partia thekson se përpjekjet për zgjatjen e pushtetit pa shumicë parlamentare dhe pa legjitimitet politik kanë krijuar një situatë të paqëndrueshme.
“Sot është e qartë për të gjithë: Kuvendi i Kosovës nuk ka shumicë,” thuhet në reagim.
Sipas NISMA’s, edhe në takimin e fundit me Presidenten e Republikës, të gjitha partitë politike kanë shprehur qartë dhe zyrtarisht qëndrimin e tyre se në këtë Kuvend nuk ekziston shumicë parlamentare dhe se zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja.
“Kjo situatë kërkon veprim të qartë dhe të shpejtë institucional. Presidentja e Republikës ka detyrim kushtetues të respektojë vullnetin e subjekteve politike, vullnet që tashmë është deponuar zyrtarisht,” thuhet më tej në komunikatë.
NISMA i ka bërë thirrje Presidentes që të mos bëhet pjesë e zvarritjeve politike apo interpretimeve arbitrare që, sipas saj, rrezikojnë parimet kushtetuese dhe krijojnë tensione të panevojshme.
“Roli i Presidentes është të garantojë unitetin kushtetues dhe të sigurojë funksionimin demokratik të shtetit, jo ta shtyjë vendin drejt bllokadës,” përfundon reagimi i partisë së Fatmir Limajt.

