Edhe një ditë i ka mbetur presidentes Osmani që ta caktojë rrugën që do të ndiqet tutje – një përpjekje tjetër për formimin e qeverisë apo zgjedhje.
Të premten Osmani mblodhi liderët politikë për të diskutuar se çka më tutje, pas dështimit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti që ta formojë qeverinë. Pas takimit, liderët e ish opozitës u deklaruan për zgjedhje, ndërsa Kurti nuk foli para gazetarëve. Ai tha vetëm se “kushtetuta dhe ligji janë të qarta”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Siç u tha, Kurti i kërkoi edhe disa ditë kohë presidentes për të vendosur nëse VV-ja do të dërgojë sërish një emër mandatari në përpjekje për formimin e qeverisë. Deri më tani, vendim nuk ka pasur nga kjo parti.
Osmani tha se në takim kishte qëndrime të ndryshme nga partitë politike, nëse do të ketë një mandatar të dytë.
“Gjatë këtij takimi, diskutuam për një sërë çështjes, kryesorja natyrisht që konsultimet të ndodhin para caktimit të mandatarit tjetër, dhe diskutuam nëse dikush nga partitë politike e kanë shumicën e nevojshme për qeveri. Besoj i keni dëgjuar përfaqësuesit e parive politike, disa kishin qëndrime që nuk mund të krijojnë shumicë, por edhe që duhet të takohemi sërish për caktimin e një mandatari të ri. Institucioni i presidencës i ka 10 ditë në marrjen e vendimit nëse mandatohet mandatori i dytë. Kjo skadon më 5 nëntor. Deri në atë ditë unë do të vazhdoj komunikimin me krerët e partive. A do të ketë propozim për mandatar tjetër apo jo, është çështje e partive. Kishte qëndrime jo unanime rreth asaj se a mund të ketë mandatar tjetër apo jo”, tha Osmani.
Ajo e bëri të qartë se nuk mund ta nominojë liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti për mandatar, për herë të dytë.
Pas takimit me liderët politik, Osmani ka theksuar se tri aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese tregojnë se për mandatar të dytë duhet të caktohet një person tjetër. Ajo ka shtuar se është e detyruar t’i respektojë këto vendime.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit me presidenten, ka thënë se në takim u bë e qartë se askush nuk mund ta krijojë shumicën e re parlamentare, bazuar në legjislaturën aktuale.
“Takimi bëri të qartë se askush nuk mund ta krijojë shumicën e re parlamentare, bazuar në legjislaturën aktuale. Kurti na i ka humbur 8 muaj me manipulim e mashtrim dhe tash po i kërkon dhe disa ditë. Ai në mënyrë të kundërligjshme po vazhdon që të qëndrojë në zyrë dhe të marrë vendime të kundërligjshme. Është e qartë se as në ëndrrat e tij më të mira, ai nuk mund ta bëjë shumicën. E mori fjalën kah gjysma e takimit, nuk është se tha shumë diçka. Vetëm ka të nënkuptohet se dëshiron me i pasë edhe disa ditë për me vazhdu këtë agoni”, tha Krasniqi.
Kurse, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se në takim ironikisht u përmend ideja e qeverisë së unitetit, por shtoi se kjo në këtë fazë është e pamundur.
Abdixhiku ta se në takim pati edhe pretendime nga kreu i VV-së, Albin Kurti që duhet provuar edhe një herë formimin e qeverisë.
“Kishim takim konsultativ, për të diskutuar një pikë të vetme, caktimi i mandatarit tjerër. U dëshmua që në Kosovës sipas rezultatit të 9 shkurtit, nuk ka shumicë parlamentare. Në rrethanat e tanishme rrjedhimisht afatet kushtetuese na detyrojnë të shkojmë drejt zgjedhjeve të reja. Në këtë takim u përmend shumë më shpesh ironikisht qeveria e unitetit. Tani kërkohet një fazë parlamentare për krizë por është e pamundur. Sa më parë që organizojmë zgjedhjet, i shmangim krizat e mëtejshme. Pat dhe pretendime nga kryetari i VV-së se ndoshta duhet provuar edhe njëherë, por shumica e partive politike ishin të qarta se nuk ka shumicë”, tha Abdixhiku pas takimit.
Ndërsa ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimitha se Osmani u ka kërkuar partive të sqarojnë se e kanë shumicën, teksa zbuloi se kreu i VV’së ka kërkuar disa ditë kohë, shkruan Reporteri.net.
Sipas Haradinajt, me shumë gjasë s’do të ketë mandatar tjetër, por se Kurti po e shfrytëzon këtë veç për të fituar kohë.
“Në takimin e sotëm, Presidentja kërkoi nga ne të sqarojmë se a e kemi shumicën për qeveri, dikush nga ne nëse e ka dhe kërkoi të gjendet zgjidhje e përkohshme për buxhetin dhe fondin nga BE…Kurti nuk ishte i qartë se a e është vetë mandatar apo e propzon veten. Situatë jo e lehtë për Presidenten””, deklaroi Haradinaj.
Ai tha se vendi po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare, teksa si datë që tha se e cilëson si të përshtatshme për zgjedhje është 7 dhjetori.
I mandatuari i VV-së, kryeministri në detyrë Albin Kurti, nuk arriti të sigurojë shumicën në Kuvend për formimin e Qeverisë.
Ai u votua me 56 vota për, të pamjaftueshme për të formuar Qeverinë.

