• Sat. Nov 1st, 2025

Heshtja misterioze e Kurtit dhe Limajt pas takimit tek presidentja Osmani – a po “zihet” diçka?

Bykfvanews

Oct 31, 2025

Sot, presidentja e vendit Vjosa Osmani ka pritur në takim krerët e partive politike në vend, pas dështimit të Albin Kurtit dhe VV-së për ta formuar Qeverinë. E, ky i fundit përveç që nuk arriti ta bëjë shumicën parlamentare, nuk foli as pas takimit me të paren e vendit, shkruan KFVA.

Pas takimi që zgjati afro dy orë, presidentja Vjosa Osmani, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku e Ramush Haradinaj u deklaruan para mediave.

Madje liderët e PDK, LDK dhe AAK i bën “share” deklarata e tyre edhe në profilet e Facebook-it.

Ndërkohë kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti e ai i NISMA-s, Fatmir Limaj nuk u lodhën të thonin asgjë.

Nuk dihet ende nëse kjo dyshe, do t’ia zgjasin dorën e bashkëpunimit pas takimeve që nuk patën kurrfarë rezultati.

Çka deklaruan Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj?

Fillimisht, ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ai që foli për media pas takimit.

I njëjti deklaroi se u bë e qartë se askush s’e ka shumicën parlamentare.

‘‘Në këtë takim u bë e qartë nga përfaqësuesit e partive parlamentarë se nuk ka shumicë parlamentare. Tani i takon presidentes që deri të mërkurën, më 5 nëntor, të përcaktojë se a ka shumicë apo jo. Sa më parë që i shpallim zgjedhjet i shmangim krizat që mund t’i vihen vendit. Nuk folëm për data as për marrëveshje politike. Këtu ishim për të dhënë qëndrimet e partive dhe presidentja të vlerësojë a ka numra për një shumicë”, deklaroi sot Abdixhiku.

Njëjtë folën edhe krerët e tjerët të partive të ish-opozitës. Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se vendi s’ka kohë për të humbur duke shtuar se është në interes të vendit që zgjedhjet të caktohen sa më shpejt.

“Do të ishte në interes të Kosovës që data e zgjedhjeve të caktohet ma shpejt, brenda 30 ditësh. Qëndrimi i AAK-së që ne nuk duam të humbin kohë, në afatin e parë kushtetues të veprohet dhe të mbahen zgjedhjet”, theksoi Haradinaj.

Si këta, u deklarua edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

“Një situatë të tillë ka muaj që e kemi paralajmëruar. Në këtë moment, rruga përpara është vetëm shpallja e zgjedhjeve të reja”, tha ai.

Por, pavarësisht kërkesave e deklarimeve të këtyre partive, ajo çfarë e bën situatën, ende jo shumë të qartë për hapat e tjerë, janë deklarime e Osmanit.

Së pari Osmani bëri të ditur se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ai që pati mandatarin për ta formuar qeverinë por dështoi, i ka kërkuar asaj që takojë edhe njëherë atë para se të përfundojë afati 10 ditësh që i takon mandatarit të dytë.

“Kryetari i Vetëvendosjes ka kërkuar që të më takoj edhe njëherë para se të më skadojë afati 10-ditor që është përcaktim i mandatarit të dytë dhe pas konsultimeve që i ka brenda partisë politike që i përfaqëson, nëse do të vijë me propozim apo jo është çështje e tyre, mirëpo ne kemi detyrim kushtetues që t’i respektojmë ato afate”, deklaroi ajo sot në konferencën për media.

Se a do të shkojë VV-ja me një propozim tjetër në tentim për ta krijuar qeverinë ende s’dihet. Por, gjatë ditëve që lamë pas, ka pasur diskutime se kjo parti mund ta provojë sërish krijimin e qeverisë. Megjithatë diçka e tillë ende s’është konfirmuar. Kjo s’u bë sot as nga Kurti, i cili ishte i vetmi nga të tjerët që s’u deklarua fare pas takimit.

Tutje, për dallim nga partitë dhe deklarimet e tyre të sotme por edhe të ditëve të kaluara për zgjedhjet, Osmani pati qëndrim më ndryshe.

Përderisa pritej që zgjedhjet mund të caktoheshin edhe sot, presidentja tha se ajo ka ‘’detyrim’’ tjetër.

Osmani deklaroi detyrimi i saj është që të ‘’bëjë çmos të evitohen zgjedhjet’’.

“Detyrimi i presidentes është të bëjë çmos të evitohen zgjedhjet. Partitë politike i kanë qëndrimet e tyre, por detyrimi i presidentes është të bëjë çmos të evitohen zgjedhjet. Dhe këtë detyrim mundohem ta kryej në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Osmani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *