• Fri. Oct 31st, 2025

Zgjedhjet lokale drejt raundit të dytë, bashkëpunime të reja mes rivalëve politikë

Bykfvanews

Oct 31, 2025

Më 9 nëntor, në 18 komuna të Kosovës do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale. Ndërkohë, fushata zgjedhore do të nisë më 3 nëntor, ku kandidatët do të kenë mundësinë t’u paraqesin qytetarëve programet e tyre për qeverisjen lokale.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të raundit të parë, disa subjekte politike kanë arritur marrëveshje koalicioni para zhvillimit të raundit të dytë të zgjedhjeve.

Analisti politik, Albinot Maloku, në një prononcim për Telegrafin, ka deklaruar se koalicionet në nivel komunal janë të zakonshme, pasi shpeshherë kërkohet bashkëpunim midis subjekteve të përfaqësuara në Kuvendin Komunal.

“Koalicionet qeverisëse në nivel komune janë praktika që kushtëzohen çoftë nga balotazhi, por edhe nga fuqia e subjekteve politike në Kuvendet komunale. Në praktikën politike në Kosovë, koalicionet qeverisëse në nivel komunal janë të zakonshme, sepse për funksionim të mirëfilltë të komunës kërkohet bashkëpunim midis subjekteve që përfaqësohen në kuvend. Edhe pse degët lokale të partive kanë njëfarë autonomie, vendimmarrja për koalicione shpesh ndikohet nga udhëheqësit në nivel qendror, të cilët i shfrytëzojnë këto marrëveshje për balancim të raporteve politike në gjithë vendin”, theksoi ai.

Maloku u shpreh se zakonisht koalicionet formohen mes subjektit të parë dhe të tret pas raundit të parë, me qëllim që të sigurohet shumica në kuvend dhe fitorja e kandidatit në balotazh

“Megjithatë, nuk përjashtohen as marrëveshje të papritura midis partive që tradicionalisht konsiderohen si kundërshtare, pasi interesi lokal shpesh është vendimtar. Prandaj, befasitë në formimin e koalicioneve nuk duhet të përjashtohen”, nënvizoi ai.

I pyetur se a mendoni që ka parti që po negociojnë koalicione të papritura apo jashtë pritshmërive, Maloku tha se më herët ka qenë një frymë që LVV nuk do të bashkëpunojë me asnjë subjekt politik, por që edhe nga kjo parti ka pasur partneritet në nivel lokal.

“Pavarësisht se viteve të fundit është krijuar një frymë polarizimi e është provuar të krijohet ideja se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të bashkëpunojë me asnjë subjekt tjetër politik, megjithatë edhe ky subjekt politik nuk është se nuk ka pasur partneritet qeverisës edhe me më të refuzuarën e saj, pra Partinë Demokratike të Kosovës, ose edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Edhe negocimet jo publike mes tyre nuk është se janë praktik e pa provuar. Ato kanë ndodhur e ndodhin edhe tani kur jemi në raundin e dytë për kryetar komune. Disa partneritete veç u vendosën në letër si LVV e AAK në Prizren, Junik, e me gjasa edhe në Pejë. Në Gjilan veç ka qenë një lloj koalicioni mes LVV e PDK. Në Vushtrri mes LDK e LVV. Pra edhe këto koalicione janë prodhime të negociatave jo publike”, ka deklaruar Maloku.

Sa ndikon rezultati i raundit të parë në vendimet e partive për të hyrë në koalicione në raundin e dytë të zgjedhjeve?

Maloku ka folur edhe rreth asaj se sa ndikon rezultati që kanë marrë në raundin e parë të zgjedhjeve kandidatët për kryetarë, në lidhjen e koalicioneve.

“Rezultati i raundit të parë ndikon ndjeshëm në vendimet e partive për koalicione në raundin e dytë, pasi tregon forcën reale të secilës parti dhe potencialin e tyre elektoral. Megjithatë, koalicionet në balotazh nuk garantojnë automatikisht transferimin e votave nga një kandidat te tjetri. Ato shërbejnë më shumë për krijimin e një klime bashkëpunuese dhe për të dhënë sinjale politike, sesa si faktorë përcaktues të rezultatit. Ndikimi i tyre më i madh zakonisht vërehet në përbërjen dhe funksionimin e Kuvendit Komunal, ku këto aleanca mund të forcojnë apo të vështirësojnë qeverisjen lokale”, ka pohuar ai.

Raund të dytë të zgjedhjeve lokale do të ketë në këto qytete: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se nga 27 tetor deri më 8 nëntor 2025, është e hapur periudha për votimin me postë në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.

Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se ky proces u mundëson 29,712 shtetasve të Republikës së Kosovës, të regjistruar me sukses për votim jashtë vendit, që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në kohë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *