Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Luftimin e Narkotikëve, ka ndërmarrë sot në orët e hershme të mëngjesit një aksion policor që rezultoi me arrestimin e tre personave të dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është vazhdim i hetimeve të rastit të koduar “Vera 2024”, që lidhet me plantacionet e zbuluara gjatë vitit të kaluar në fshatin Sverkë të komunës së Pejës, ku ishin sekuestruar rreth 3,000 bimë narkotike dhe afro një ton marihuanë.
Arrestimet e sotme janë ekzekutuar nga Njësiti Special Intervenus në rajonet e Pejës dhe Gjakovës. Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa janë sekuestruar edhe dy automjete, tre telefona mobil dhe një shumë parash në kesh.
Prokuroria njofton se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë penale.
Ndërkohë, në lidhje me këtë rast, më herët janë arrestuar edhe tetë persona në Republikën e Shqipërisë për veprën e njëjtë penale, në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar për luftimin e kultivimit të narkotikëve.

