Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, ka prezantuar sot drejtorin e ri të Portit të Durrësit, Liburn Aliun, ish-ministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës.
Ajo vlerësoi karrierën e tij të gjatë në ekzekutiv, duke e cilësuar si një koleg që ka parë gjithmonë Kosovën dhe Shqipërinë si një treg të përbashkët zhvillimi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Me një karrierë të gjatë në ekzekutiv dhe padyshim një koleg i mirë i cili Kosovën dhe Shqipërinë i ka parë gjithmonë si treg i përbashkët i zhvillimit”, u shpreh Balluku për Aliun.
Balluku theksoi gjithashtu se kryeministri shqiptar Edi Rama ka mbështetur vazhdimisht bashkëpunimin mes dy vendeve, duke e miratuar propozimin e saj për emërimin e Aliut në krye të portit më të madh të vendit.
“Edi Rama ka punuar historikisht për Shqipërinë dhe Kosovën, me të njëjtin pasion dhe dëshirë, për t’i parë shqiptarët sa më lart. Nuk është hera e parë që qytetarët e Kosovës janë përfshirë në ekzekutivin tonë, por Aliu unë them është më i spikaturi, për ndërtimin e Shqipërisë. Kryeministri ma ka aprovuar propozimin tim, sepse porti i Durrësit është porti i shqiptarëve”, theksoi Balluku.
Ajo shtoi se drejtimi i këtij institucioni kërkon një profesionist me njohuri të thella në fushën politike dhe gjeopolitike.
“Porti i Durrësit ka nevojë për një drejtues profesionist, por nga ana tjetër një njohës të mirë politike dhe gjeopolitike. Liburn Aliu i plotëson të gjitha këto kushte duke na bërë besimplotë se detyra që po i ngarkohet sot, do të realizohet në mënyrën më të mirë”, tha Balluku.
Ndërkohë, drejtori në detyrë i Autoritetit Portual të Durrësit, Kreshnik Bajraktari, falënderoi ekipin e tij për bashkëpunimin gjatë mandatit dhe i uroi sukses pasardhësit të tij.
“I uroj zotit Liburn shumë suksese në detyrën e re dhe jam i bindur se porti i Durrësit do vijojë me ritme të larta në zhvillimin e tij”, tha ai.
Në vijim, Balluku foli edhe për projektin e ndërtimit të portit të ri në Porto Romano, duke theksuar se është përgatitur një dokument i rëndësishëm me ndihmën e një kompanie të madhe evropiane të sektorit detar.
“Pas gjithë ankesave që kemi marrë prej vitesh prej zhurmës apo ndotjes mjedisore nga shkarkimet e anijeve të mallrave gjenerale, sigurisht me një punë shumë të detajuar dhe me mbështetjen e një prej kompanive më të mëdha në Evropë, në sektorin detar, Ministria ka arritur të ketë një dokument të jashtëzakonshëm që parashikon dhe pararend duke dizenjuar të gjithë hapat e ri për ndërtimin e një porti të ri në Porto Romano”, u shpreh ajo.
Sipas saj, procesi përzgjedhës është drejt përfundimit, me pesë kompani të huaja që kanë marrë pjesë në garë.
“Pesë kompani të huaja kanë garuar dhe në 31 janar do kemi fituesin e garës për ndërtimin e Portit të Durrësit, i dalë nga një garë ndërkombëtare, sigurisht me pjesëmarrjen e të gjitha departamenteve nga Autoriteti Portual i Durrësit”, shtoi më tej Balluku.

