• Thu. Oct 23rd, 2025

Londra sanksionoi 9 kosovarë, Kurti-Starmerit: Kosova nuk është burim migrimi, jemi të gatshëm të ju mbështesim

Bykfvanews

Oct 23, 2025

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, është takuar me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që këtë vit po mbahet në Londër.

Në një postim në platformën “X”, Kurti ka njoftuar se me Starmerin kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale dhe për temat kryesore të samitit: sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe migracionin.

Ai e ka falënderuar homologun britanik për angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë përmes KFOR-it, si dhe për thirrjet ndaj Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të njohë shtetësinë e Kosovës.

Kurti gjithashtu ka vlerësuar kërkesën e Starmerit drejtuar Serbisë që të dorëzojë Milan Radoiçiqin, të cilin e ka cilësuar si “përgjegjësin kryesor” për sulmin terrorist në Banjskë.

“Kosova nuk është burim migracioni dhe ka treguesit më të fortë të sundimit të ligjit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, sipas World Justice Project,” ka theksuar Kurti, duke shtuar se Kosova është e gatshme të mbështesë Britaninë në menaxhimin e flukseve migratore dhe forcimin e sigurisë kufitare.

Ditën e djeshme,  Britania e Madhe vendosi sanksione ndaj nëntë shtetasve të Kosovës për përfshirje në çështje të migrimit të paligjshëm.

Britania ka sanksionuar ato që i ka quajtur banda kriminale nga Ballkani Perëndimor, përfshirë një në Kosovë, të cilat dyshohet se kishin falsifikuar dokumente, që ishin përdorur më pas për trafikimin e njerëzve.

Sipas njoftimit të Qeverisë britanike, me ndihmën e autoriteteve kosovare është sanksionuar “Rrjeti Krasniqi”, që përshkruhet si një bandë kriminale me seli në Kosovë, që kishte udhëhequr një laborator të sofistikuar për prodhimin e dokumenteve false.

Mbretëria e Bashkuar tha se kjo bandë e organizuar kriminale është përgjegjëse për prodhimin e dokumenteve false dhe furnizimit me to për bandat kriminale.

“Grupi ka krijuar pasaporta false, letërnjoftime dhe patentë-shoferë të më shumë se 50 shteteve, përfshirë të Mbretërisë së Bashkuar”, u tha në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *