Kancelari gjerman, Friedrich Merz, bëri thirrje të qartë për avancimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese.
“Ne kemi nevojë urgjente për përparim në procesin e normalizimit midis Prishtinës dhe Beogradit. Zbatimi i besueshëm dhe i plotë i marrëveshjeve të arritura tashmë është kyç. Rreth kësaj tryeze do të gjeni vende të gatshme për të mbështetur, përfshirë edhe vendin tim, Gjermaninë, por gjithçka varet nga angazhimi juaj,” tha Merz.
Ai shtoi se një qëndrim i përbashkët mbi pajtimin dhe fqinjësinë e mirë është arritur, por tani është koha për ta bërë këtë realitet.
“E ardhmja e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian dhe Procesi i Berlinit po ndihmon në këtë rrugë. Sa kohë do të duhet për të arritur atje varet nga secili vend. Reformat janë çelësi dhe Bashkimi Evropian nuk mund dhe nuk do të bëjë asnjë kompromis këtu, sepse kjo nuk do të ishte në interes të të ardhmes së vendeve kandidate,” përfundoi kancelari gjerman.