• Thu. Oct 23rd, 2025

Britania sanksionon rrjetin kosovar që e akuzon për falsifikim dokumentesh për banda kriminale

Bykfvanews

Oct 22, 2025

Britania e ka sanksionuar një rrjet kosovar që e akuzon për falsifikim dokumentesh për banda kriminale, e që ishin përdorur më pas për trafikimin e njerëzve, shkruan KFVA.

Sipas njoftimit të Qeverisë britanike, “Rrjeti Krasniqi”, përshkruhet si një bandë kriminale me seli në Kosovë, që kishte udhëhequr një laborator të sofistikuar për prodhimin e dokumenteve false.

Aty thuhet se grupi ka krijuar pasaporta false, letërnjoftime dhe patentë-shoferë të më shumë se 50 shteteve, përfshirë të Mbretërisë së Bashkuar.

Të sanksionuarit janë:

Burim Krasniqi, udhëheqësi i rrjetit Krasniqi.

Arif Krasniqi, ndërmjetës i grupit që siguronte klientë për shërbimet e tyre.

Flamur Krasniqi, anëtar i grupit që u gjet në posedim të dokumenteve të falsifikuara.

Valon Krasniqi, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

Sami Duriqi, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

Granit Avdyli, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve dhe reklamimin e shërbimeve të grupit.

Nexhmije Selmani, ka siguruar ambiente të përdorura nga grupi për falsifikimin e dokumenteve dhe është përfshirë në sigurimin e pajisjeve për falsifikim.

Endrit Ermellahu, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

Shkembim Ermellahu, anëtar i grupit që u gjet në posedim të dokumenteve të falsifikuara

Ata janë ndaluar të udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe janë përjashtuar nga sistemi financiar britanik, si pjesë e fushatës së qeverisë kundër bandave që shfrytëzojnë një rrugë kyçe tranziti për migrimin e paligjshëm.

Mbretëria e Bashkuar po ashtu ka sanksionuar Nusret Seferoviq, që e cilësoi si udhëheqës të një bande kroate, që kishte furnizuar bandat në Ballkan me pasaporta të falsifikuara kroate.

Dy persona të tjerë dhe një kompani tregtare u sanksionuan për pjesëmarrjen e tyre në një rrjet që transferonte para dhe blinte pjesë të anijeve të vogla, të përdorura nga bandat për të lehtësuar migrimin e paligjshëm, u tha në njoftimin e Qeverisë britanike.

Britania tha se k;to sanksione janë hapi i fundit në luftimin e rrjeteve kriminale që kanë rritur migrimin ilegal në këtë shtet. Këto veprime, tha Qeveria britanike, kanë ndihmuar që të ulet numri i migrantëve nga Ballkani Perëndimor nga 140.000 më 2022 në 21.000 vitin e kaluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *