Pesë persona që pësuan aksident trafiku të premten mbrëma në fshatin Slivovë të Ferizajt pas përplasjes me një autobus ishin pjesë e stafit zgjedhor, të angazhuar në përmbylljen e procesit të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se të lënduarit janë anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Ferizaj dhe se aksidenti ndodhi rreth orës 18:17, gjatë kohës që ata po kryenin detyrat e tyre zyrtare.
Sipas njoftimit të KQZ-së, gjendja shëndetësore e katër prej tyre është e rëndë, ndërsa aktualisht po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Institucioni ka bërë të ditur se për detaje të mëtejshme lidhur me shëndetin e tyre, duhet të kontaktohen autoritetet mjekësore përkatëse.
KQZ ka shprehur shqetësimin dhe keqardhjen për ngjarjen, duke u lutur për shërimin e shpejtë të zyrtarëve të lënduar.
“Pesë zyrtarët ishin të angazhuar me përkushtim të lartë në përmbylljen e procesit zgjedhor në komunën e Ferizajt. Mendimet dhe përkrahja jonë janë me anëtarët e KKZ-së dhe familjet e tyre”, thuhet në reagimin e KQZ-së.