Një aksident i rëndë trafiku ku të përfshirë kanë qenë pesë anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor ka ndodhur dje në qytetin e Ferizajt. Kështu ka bërë të ditur Blerton Jakupi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ai ka thënë se njëri nga të lënduarit është në gjendje kome.
‘‘Pesë anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor janë përfshirë dje në një aksident të rëndë trafiku në qytetin tonë. Me zemër të rënduar, lutemi që gjendja e tyre të stabilizohet sa më shpejt dhe që të gjithë të kthehen shëndoshë pranë familjeve të tyre. Kam pasur nderin të punoj me këta njerëz, profesionistë, të përkushtuar, të ndershëm e me shpirt pune dhe kjo ngjarje më ka prekur thellë. Këto momente na kujtojnë sa e brishtë është jeta, sa shpejt mund të ndryshojë gjithçka, dhe sa shumë duhet ta vlerësojmë njëri-tjetrin përtej çdo detyre apo përkatësie. Shërim të shpejtë për secilin prej tyre. Lutje për shëndet, forcë e jetë për të gjithë të përfshirët!’’, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.
‘‘Sipas informatave të fundit, një prej tyre është ende në gjendje kome, një tjetër sapo ka dalë nga operimi, ndërsa tre të tjerë po marrin trajtim për lëndimet që kanë pësuar. Ferizaji sot lutet bashkë. Lutet për shërim, për jetë, për kthim të shpejtë e të sigurt pranë familjeve të tyre. Zoti ju ruajtë e ju japë forcë në këtë betejë!’’, ka shkruar ai.


Gazeta Online Reporteri.net ka pyetur edhe Policinë Rajonale të Ferizajt, e cila ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur në rrugën magjistrale, fshati Slivovë-Ferizaj, ku janë përfshirë një veturë dhe një autbus.
“Veç dëmeve materiale lëndime trupore pësojnë shoferi i veturës dhe katër pasagjeret, të cilët pas tretmanit mjekësorë në emërgjencën e Ferizajt, katër persona janë dërguar në QKUK në Prishtinë për tretman të mëtujeshëm mjekësor. Për këtë aksident është njoftuar edhe prokurori kujdestar”, kanë thënë nga policia e Ferizajt.