Mënyra e votimit dhe zgjedhjes së kryetarit të Komunës është e njëjtë, si në zgjedhjet e mëhershme.
Secili kryetar i Komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit e komunës, ku janë të regjistruar. Kandidati zgjidhet kryetar i komunës nëse fiton 50% plus 1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme në atë komunë. E, nëse kjo nuk arrihet, atëherë pas katër javësh organizohet raundi i dytë mes dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme. Kandidati, i cili fiton shumicën e votave në rrethin e dytë, zgjidhet kryetar i komunës.
Edhe mënyra e votimit në zgjedhjet për Kuvendet Komunale ka mbetur e njëjtë, si në zgjedhjet e kaluara lokale. Pra, në anën e majtë të fletëvotimit votohet vetëm një subjekt politik dhe në anën e djathtë të fletëvotimit, votuesi mund të votojë vetëm për një kandidat nga lista e kandidatëve të atij subjekti politik. Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, vota për subjektin e politik konsiderohet si votë për kandidatin e parë apo bartësin e listës të atij subjekti politik.
Votuesi ka të drejtë të votojë në mënyrë të pavarur për secilën garë. Kjo do të thotë që një votues mund të votojë një kandidat për Kryetar Komune nga një subjekt politik dhe një subjekt tjetër politik në zgjedhjet për Kuvend Komune. Zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunale janë procese të ndara dhe kanë fletëvotime të veçanta. Pra, votuesi nuk është i detyruar të votojë për të njëjtin subjekt në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe në zgjedhjet për Kuvend Komunale.
Zgjedhjet lokale kanë një kosto tjetër nga ato parlamentare, në zgjedhje lokale parashihet mbajtja e raundit të dytë nëse kandidatët nuk arrijnë të marrin votat e mjaftueshme, sa do të jetë numri i komunave që do jetë i domosdoshëm raundi i dytë nuk mund ta dimë ende në këtë fazë, por kosto në zgjedhje lokale është më e lartë, në këtë proces zgjedhor KQZ është kujdesur që votuesit jashtë vendit të ua dërgoj përmes postës pakon e votimeve në adresat ku janë të regjistruar votuesit dhe ajo kosto përfshihet në KQZ.]