Sot e dielë, 12 tetor, qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit. Kësaj here, 2 025 105 votues do kenë të drejtë të votojnë për të zgjedhur kryetarët e 38 komunave të vendit dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale. Numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43,993 votues.
Të gjitha qendrat e votimeve do të hapen sot në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00. Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor do angazhohen institucionet si Policia, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.
Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje është 93, nga të cilat 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se i ka bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër. Sot është bërë edhe shpërndarja e materialit zgjedhor përfshirë nëpër të gjitha komunat e Kosovës.
Sipas KQZ-së, në ditën e zgjedhjeve do të hapen gjithsej 938 qendra votimi dhe 2 625 vendvotime në të gjithë territorin e Kosovës. Për votuesit jashtë vendit është mundësuar votimi me postë, një proces që ka nisur që nga data 17 shtator dhe përfundon më 11 tetor.
Edhe Policia e Kosovës ka njoftuar se i ka bërë të gjitha planifikimet policore lidhur me zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, duke hartuar urdhrin operativ “Zgjedhjet lokale 2025”.
Sipas Policisë, për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, do të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, të përfshirë në njësite të ndryshme të PK-së.
Operacioni policor parashikohet të zhvillohet në katër faza: periudha parazgjedhore, ofrimi i sigurisë gjatë fushatës, sigurimi i ditës së zgjedhjeve (dita “Z”) dhe periudha pas zgjedhjeve, që përfshin transportin e materialit sensitiv deri në përfundim të procesit.
Zgjedhjet lokale të 12 tetorit zhvillohen në një klimë të tensionuar politike, pasi vendi është ende në pritje të formimit të institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt të këtij viti.