• Sun. Oct 12th, 2025

Edukatorja në pranga, Prokuroria nis hetimet ndaj rastit në Lipjan

Bykfvanews

Oct 8, 2025

 

 

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj edukatores së një çerdheje në Lipjan, e cila dyshohet për shkaktimin e lëndimeve trupore të një fëmije njëvjeçar.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala, duke shtuar se ndaj të dyshuarës është nxjerrë urdhër ndalimi për 48 orë.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për dyzet e tetë (48) orë e dyshuara për shkak të veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ sipas nenit 185 të KPRK-së. Aktualisht po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rastit”, tha Shala.

Edhe Policia e Kosovës, përmes zëdhënëses Flora Ahmeti, konfirmoi mbrëmë arrestimin e edukatores dhe dërgimin e saj në mbajtje pas veprimeve hetimore.

“Po, pas përfundimit të disa veprimeve hetimore është arrestuar personi i dyshuar dhe me vendim të prokurorit e njëjta është dërguar në mbajtje”, tha Ahmeti.

Rasti u bë i njohur pasi nëna e fëmijës kishte vërejtur shenja të thonjve në fytin e vajzës njëvjeçare gjatë marrjes nga çerdhja.

Daja i vogëlushes, Shaban Avdyli, tregoi se fillimisht dyshimet u lindën pas këtij incidenti dhe se ata kishin kërkuar të shihnin pamjet nga kamerat e sigurisë.

“Kjo është situata në fjalë: Ka shkuar nëna e vajzës për ta marrë vajzën nga çerdhja dhe e kanë vërejtur vajzën me shenja thonjsh në fyt. Dyshuam se edukatorja mund të kishte ushtruar dhunë fizike ndaj vogëlushes njëvjeçare”, u shpreh.

Avdyli shtoi se dyshimet e para i kishin tek edukatorja, ndaj edhe kanë vendosur që t’i shikojnë kamerat e sigurisë, nga ku sipas tij, vërtetuan atë për çka edhe dyshonin.

“Pas kësaj, e pamë në kamerat e sigurisë që edukatorja në fjalë e ka kapur për fyti, e ka përplasur në dysheme dhe e ka goditur me top”, tha daja i vogëlushes, derisa u shpreh se edukatorja e kishte pranuar fajin dhe kishte kërkuar falje.

“E ka pranuar dhe më thoshte kam gabuar, më fal”, shtoi Avdyli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *