Një raport i ri nga organizata për të drejtat e njeriut Global Witness ka zbuluar se algoritmi i TikTok i sugjeron fëmijëve pornografi dhe përmbajtje tepër të seksualizuar, pavarësisht cilësimeve të sigurisë.
Sipas BBC, studiuesit krijuan llogari të rreme duke u shtirur si 13-vjeçarë. Edhe pse aktivizuan opsionin e “modalitetit të kufizuar”, që supozohet të ndalojë temat për të rritur, ata morën sugjerime kërkimi me përmbajtje eksplicite seksuale.
Në disa raste, termat e rekomanduar çonin drejt video-ve me gra që simulonin masturbim ose shfaqnin të brendshmet në vende publike. Në formën më ekstreme, studiuesit gjetën edhe pornografi të hapur me seks penetrues, e cila ishte përfshirë brenda përmbajtjeve të tjera më të pafajshme për të shmangur kontrollin e moderimit.
“TikTok jo vetëm që po dështon në parandalimin e fëmijëve nga qasja në përmbajtje të papërshtatshme – por po ua sugjeron atyre sapo krijojnë një llogari”, tha Ava Lee nga Global Witness, duke e quajtur këtë një “tronditje të madhe”.
TikTok reagoi duke thënë se është i përkushtuar ndaj “përvojave të sigurta dhe të përshtatshme për moshën” dhe se ka marrë masa të menjëhershme sapo u njoftua për problemin.
Global Witness, i njohur për hetimet mbi ndikimin e teknologjisë në të drejtat e njeriut dhe demokracinë, nënvizoi se zbulimi i këtij problemi erdhi rastësisht gjatë një studimi tjetër në prill të këtij viti.
