Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë më 21 tetor mbi raportin më të fundit të Sekretarit të Përgjithshëm lidhur me situatën në Kosovë, është bërë e ditur në faqen zyrtare të organizatës botërore.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të shqyrtojë më 21 tetor raportin e ri të Sekretarit të Përgjithshëm të organizatës botërore, Antonio Guterres, mbi gjendjen në Kosovë, saktësisht gjashtë muaj pasi anëtarët kryesorë të këshillit patën një përplasje të ashpër verbale lidhur me të ardhmen e angazhimit të misionit të OKB-së.
Është paralajmëruar se raporti i ri, i cili do të paraqitet nga shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, do të jetë në dispozicion brenda dhjetë ditëve të ardhshme.
Ziadeh, në fillim të prillit, shprehu shqetësimin për pasojat që ka mbyllja e institucioneve nën administrimin e Serbisë ndaj të drejtave ekonomike dhe sociale të qytetarëve të Kosovës, veçanërisht për kategoritë e cenueshme të popullsisë.
Ajo dënoi gjithashtu shkatërrimin e simboleve dhe objekteve fetare, duke vlerësuar se një praktikë e tillë është e papajtueshme me vlerat për të cilat angazhohen Kombet e Bashkuara.
Pjesa kyçe e debatit ishte e ardhmja e misionit të OKB-së, ku Uashingtoni dhe Londra kërkuan përfundimin e misionit të UNMIK-ut ndërsa Rusia dhe Kina u shprehën në favor të vazhdimit të mandatit që ka nisur në qershor të vitit 1999
