• Thu. Nov 20th, 2025

Korçë: Përmirësohet shëndeti i tri motrave të mitura që u helmuan nga karamelet me kanabis

Sep 20, 2025

 

 

Gjendja shëndetësore e tri motrave të moshës 3, 7 dhe 11-vjeçare, të cilat u shtruan pak ditë më parë në gjendje të rëndë pas konsumimit të disa karameleve që përmbanin substancën narkotike kanabis sativa, paraqitet dukshëm më e mirë.

Burime nga shërbimi pediatrik i spitalit rajonal të Korçës konfirmojnë për A2CNN se vajzat 7 dhe 11-vjeçare ndodhen tashmë jashtë rrezikut dhe në gjendje të qëndrueshme.

Ndërkohë, edhe motra më e vogël, vetëm 3 vjeçe, është stabilizuar, por vijon të mbahet nën kujdes të posaçëm nga mjekët e reanimacionit.

Ngjarja tronditi opinionin publik, pasi tri të miturat, pjesë e së njëjtës familje, u dërguan me urgjencë në spital pas konsumimit të produkteve të ëmbla që dyshohet se përmbanin përbërës narkotikë.

Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar se si karamelet përfunduan në duart e fëmijëve.