Policia e Kosovës, mbrëmë ka arrestuar tre të dyshuar në lidhje me një rast të ndodhur më 13 shtator të këtij viti, në Arbëri.
Ata dyshohen për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa dy të tjerë, që janë ende në kërkim, dyshohen për “Vrasje në tentativë”.
Njësiti i hetimeve të përgjithshme ka arritur mbrëmë të arrestojë të dyshuarit J.B, H.A dhe A.K, të tre meshkuj, shtetas të Kosovës, si dhe janë sekuestruar dy armë zjarri.
“Personat e dyshuar kanë qenë në kërkim nga ana e policisë, për një rast Vrasje në tentativë, Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, që ka ndodhur me datën 13.09.2025, në lagjen Arbëria në Prishtinë”.
“Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, personat e dyshuar me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në qendrën e mbajtjes”, theksoi Policia.
Ndaj tyre u tha se janë iniciuar procedurat për veprat “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërkohë që për veprën “Vrasje në tentativë” policia është në kërkim të dy personave të dyshuar të cilët tashmë janë identifikuar.
