Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar programin e qeverisë dhe përbërjen e re të kabinetit qeverisës, me 82 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.
Seanca e parashikuar të zgjaste rreth dy ditë, zgjati vetëm 25 minuta.
Kjo gjë erdhi pas tensioneve dhe kundërshtimeve të opozitës për të dëgjuar kryeministrin Rama dhe ministren “Diella”.
Tensioni në Kuvend nisi pasi kryeministri i “dha fjalën” ministres digjitale. Deputetët e opozitës e kundërshtuan këtë gjë duke vijuar ta cilësojnë “Diellën” si antikushtetuese.
Për këtë arsye, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi që procesi të kalonte direkt në votim.
Teksa mazhoranca po votonte, deputetët e opozitës hodhën drejt kreut të kuvendit dhe kryeministrit rregulloren, që për ta po shkelet.
